Deputeti i Partisë Socialiste, Orlando Rakipi, djali i ish-deputetit Aqif Rakipi që u shpall sot non-grata nga Departamenti Amerikan i Shtetit ka bërë reagimin e parë në lidhje me lajmin në fjalë. Në një prononcim para se të futet në Kuvendin ku sot do të mbahet seanca e radhës plenare, Rakipi tha se i ati është një person pa rekorde kriminale, i pastër dhe pro-amerikan. I pyetur nëse është i gatshëm ta lërë mandatin e deputetit, Rakipi u përgjigj pozitivisht.
“Kam lindur në demokraci, jam pro amerikan, babai im po shtu, nuk e di se çfarë vendimi është bërë. S’ka ndodhur kurrë kjo gjë në familjen tonë, babai im është super i pastër, nuk ka akuza, nuk ka rekorde kriminale. Babai im nga politika ka ik për diçka, kjo është diçka skandaloze. Jam i gatshëm të lë mandatin,”- tha deputeti Rakipi ndër të tjera.