FIER- Babë e bir kanë dhunuar fizikisht dhe kanë goditur me sëpatë një 58-vjeçar në Fier.
Policia thekson se i lënduar është transportuar për ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit.
Aktualisht është arrestuar njëri prej autorëve të dyshuar të ngjarjes si dhe është shpallur në kërkim i biri si bashkëpunëtor në krim.
Sherri mes tyre ka ndodhur për motive të dobëta, pohoi Policia.
Njoftimi i policisë:
Tentuan të vrisnin me mjet prerës një shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga një nga autorët e dyshuar. Punohet për kapjen e autorit tjetër.
Paraditen e djeshme, njoftohemi se në fshatin Shtyllas, është plagosur me mjet prerës një shtetas.
Menjëherë pas njoftimit të marrë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë shkuar në vendngjarje dhe falë reagimit në kohë kapën dhe shoqëruan një nga autorët e dyshuar.
Një 63-vjeçar dhe djali i tij, dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, kanë goditur me sëpatë një 58 vjeçar, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Në përfundim të veprimeve procedurale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kundër Personit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit 63 vjeçarin, për veprën penale “Vrasje me paramendim”, e kryer në bashkëpunim, e mbetur në tentativë.
Po punohet intensivisht për kapjen e djalit të tij, banues në fshatin Shtyllas.
U sekuestrua në cilësinë e provës materiale mjeti prerës (sëpatë), me të cilën autorët goditën 58-vjeçarin.
Materialet i kaluan për veprime të mëtejshme Prokurorisë pranë Gjykatë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier.