Balla porosi policisë: Rrisni kontrollet kundër armëmbajtjes pa leje dhe trafikut të drogës

0

“Lufta dhe goditja e përditshme e fenomenit të armëmbajtjes pa leje është një prej detyrave kryesore të Policisë së Shtetit”, – u shpreh Ministri i Brendshëm Taulant Balla në një takim të zhvilluar sot në Tiranë, ku morën pjesë përfaqësues nga vendet e Ballkanit Perëndimor, diplomatë të huaj, në kuadër të një projektit të OSBE-së “Asistencë për autoritetet e Republikës së Shqipërisë për uljen e rrezikut te përhapjes së armëve dhe keqpërdorimit të armëve të vogla dhe të lehta (AVL).

Sa i përket rrezikut që paraqet ky fenomen, Ministri Balla nënvizoi se “armët pa leje, në të gjitha rastet, rezultojnë të jenë një prej arsyeve të ngjarjeve të rënda kriminale.” Ministri bëri me dije se nga të dhënat policore rezulton se fenomeni i armëmbajtjes ka ende një shtrirje dhe prani të madhe në mjaft zona të vendit.

“Në 300 ditët e fundit, Policia e Shtetit ka zhvilluar një operacion të rëndësishëm kundër fenomenit të armëmbajtjes pa leje, sikurse është “Sundimi i Ligjit” dhe ka sekuestruar disa qindra armë zjarri, 415 armë zjarri, shto këtu edhe një numër shumë më të madh armësh të ftohta. Pra, kjo na dëshmon se kemi një shpërndarje dhe prezencë të madhe të armëve të vogla dhe të lehta tek qytetarët,” theksoi Balla.

Në këtë aktivitet rajonal, u prezantuan njësitë K9, ose ndryshe, qentë e stërvitur të policive të vendeve të rajonit, të cilat demonstruan aftësitë e tyre në gjurmim, nuhatje të lëndëve narkotike, eksplozivëve etj. Sa i përket njësisë K9 të Policisë së Shtetit, Ministri Balla vuri në dukje se “në vëmendjen tonë janë dhe duhet të jenë, edhe më shumë, ekspertët policorë, instruktorët, që i ofrojnë policisë këto asete të rralla, përndryshe, nëse nuk do të ishin instruktorët, thjesht do të ishin katërputroshë shumë të bukur, por që nuk vlejnë për punën e përditshme. Dhe mos harrojmë, qëllimi i takimit të sotëm është pikërisht rritja e kapaciteteve dhe aftësive të njësive K9 të Policisë së Shtetit.”


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu