Pak kilometra larg Tiranës, banorët e fshatit Baldushk përcjellin për në banesën e fundit njerëzit e tyre me zetor, duke kaluar lumin e Zhullimës.
Arkivolin e hipin në rimorkion e zetorit, hipin dhe vetë për ta çuar në varreza. Kjo pasi prej 20 vitesh e më shumë mungon një urë mbi lumin Zhullim. Në rastet e motit me reshje të dendura ky lum del nga shtrati duke mësyer në rrugë dhe niveli i tij shkon mbi 1 metër lartësi. Në raste kur koha është e thatë banorët i përcjellin njerëzit e tyre që largohen nga kjo jetë në këmbë, por jo pa çizme llastiku. Ndryshe rruga është e papërshkrueshme.
Emisioni “Fiks Fare” shkoi në Çiflig Kodër në Baldushk dhe u ngjit deri në kodër ku ndodhen dhe varrezat. Rruga për tek varrezat nga fshati është mbi 1 km. Banorët kërkojnë për një zgjidhje të situatës se në rast se nuk kanë zetor dhe lumi ka dalë nga shtrati, xhenazja u ngelet pa u varrosur. ” Kjo mënyrë që ne përcjellim njerëzit drejt banesës së fundit mund të krahasohet me mesjetën” shprehen ata. Kërkesa e vetme që kanë si fshat është ndërtimi i një ure.