Bardhi paralajmëron: Nëse bie Balluku, bie gjithë qeveria

0


Tiranë, 17 Nëntor 2025

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaroi se çdo zhvillim ligjor që prek zëvendëskryeministren Belinda Balluku përbën një goditje të drejtpërdrejtë për qeverinë e Edi Ramës. Reagimi i tij erdhi pas protestës së zhvilluar para Kryeministrisë, ku demokratët kërkuan largimin e Ballukut, tashmë e pandehur nga SPAK për çështjen e tunelit të Llogarasë.

Bardhi e cilësoi Ballukun si figurën më të fuqishme të qeverisë, duke theksuar se ndikimi i saj në vendimmarrje ka tejkaluar edhe vetë kryeministrin. “Nuk është qeveria Rama, është qeveria Balluku. Sot kemi qeverinë e Belinda Ballukut,” tha ai, duke e përshkruar atë si boshtin e aferave korruptive të mazhorancës.

Sipas tij, çdo goditje ndaj zv/kryeministres është tronditje për të gjithë ekzekutivin: “Rënia e zv/kryeministres është goditje ndaj mazhorancës dhe qeverisjes së Edi Ramës.”

Ai shkoi më tej, duke argumentuar se përgjegjësitë e Ballukut janë të lidhura ngushtë me kryeministrin. “Rënia e saj është rënia de-facto e qeverisë së Edi Ramës, nga fuqia që ka ajo dhe nga sasia e aferave që ka kryer së bashku me kryeministrin,” deklaroi Bardhi në një intervistë për News24.