Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në takimin e zhvilluar me demokratët u ndal edhe tek Forumi Rinor.
Gjatë fjalës së tij, Basha theksoi se Forumi është pjesë e shtëpisë së demokratëve dhe se nuk mund të kthehet në një principatë me një feudal , i cili sipas kryedemokratit ka synim vetëm të arrijë interesat e tij personale.
‘S’ka pasur mjaftueshëm vëmendje, jo për të ndërhyrë në punët tuaj, në punët e Forumit se gjithë ideja e të pasurit një Forumi të Rinisë është që ju jo vetëm të keni lirinë për të bërë atë që duhet të bëni vetë, por të frymëzoni edhe partinë siç e keni frymëzuar në fushatë, frymëzoni qytetarët, frymëzoni shqiptarët. Por vëmendjen për të mos lejuar as Forumi dhe asnjë pjesë e shtëpisë tonë se Forumi është pjesë e shtëpisë së demokratëve, të mos kthehet në një principatë me një feudal i cili mbi të gjitha ka interesin e vet. Jo! Në momentin që kjo ndihet, preket, atëherë detyra e parë e demokratëve është t’i japin fund kësaj. Asnjë demokrat, në veçanti lidershipi demokrat nuk ka detyrë më të rëndësishme sot se sa ta kuptojë se nuk është ulur në karrige pushteti, por është mbi një piedestal përgjegjësie të jashtëzakonshme në kohë të jashtëzakonshme që nuk është thirrur për të konsumuar privilegje, por për të dhënë deri në pikën e fundit çdo sakrificë dhe po ta bëjmë këtë dhe jam i sigurt që do ta bëjmë, duke nisur nga unë i pari, shikoni tre herë në ditë se si kërkojnë të më largojnë nga beteja, të më largojnë nga beteja me lloj lloj pretekstesh’, tha më tej Basha.