Ekipi i basketbollit për meshkuj i Partizanit ka arritur të ngjitet në Superiore pas një fitoreje të fortë ndaj Elbasanit me rezultatin 90-85, në finalen e zhvilluar në pallatin e sportit “Tomorr Sinani”. Ndeshja ishte e luftuar deri në fund, me perioda të barabarta dhe rivalitet të madh mes dy skuadrave.
Elbasani e mbylli pjesën e parë në avantazh minimal, 40-39, por në periodën e tretë Partizani tregoi superioritetin e tij, duke krijuar një diferencë prej 17 pikësh. Megjithëse vendasit u përpoqën të rikuperonin, Partizani arriti të ruajë avantazhin dhe të sigurojë fitoren e madhe që i rikthen të kuqtë në elitën e basketbollit shqiptar.
Ky sukses është një arritje e rëndësishme për klubin kryeqytetas, ndërsa Elbasani duhet të presë një tjetër mundësi për të tentuar rikthimin në Superiore.