TIRANË- Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Partisë Demokratike që sot kërkoi që shqiptarët të ngriheshin në protesta pasi Çekia ka propozuar rikthimin e vizave për Shqipërinë. Në një postim në rrjetet sociale, Rama shkruan se kjo nuk ka shanse të ndodhë, edhe sikur Opozita të ‘japë shpirt’. Referuar shpalljes non-grata të ish-kryeministri Sali Berisha, Rama thotë se as vendimi i Departamentit Amerkan të Shtetit nuk ka shanse të zhbëhet.
“Të gjithë e dinë se kujt i është vënë viza në Shqipëri, askush mos çuditet si e qysh përhapet thashethemi se BE-ja do kthejë regjimin e vizave! Nongrata nuk ka shans të hiqet, vizat nuk ka gjasë të vihen dhe opozita e rublave sado të japë shpirt s’ka për të hequr dorë,”- shkruan Rama.
Reagimi i Ramës vjen pas deklaratës së bërë nga Floriana Garo, zëdhënësja e Partisë Demokratike. Nga selia blu, Garo kërkoi që shqiptarët të ngriheshin në protesta pasi 12 vite pas liberalizimit nga qeveria Berisha dhe PD, kryeministri Edi Rama po rrezikon rikthimin e vizave. Kërkesa e Çekisë për pezullimin e udhëtimit pa viza në Ballkanin Perëndimor ka ardhur pas rritjet të numrit të emigrantëve të paligjshëm. Në dokument nënvizohet presioni diplomatik ndaj Shqipërisë dhe Serbisë për të harmonizuar heqjet e vizave dhe për të rikthyer mbrapsht më shumë emigrantë të parregullt.