Nga Giulia Lagana, euronews
Ndërsa skenat e kaosit dhe dëshpërimit kanë mbërthyer Kabulin, përgjigja e udhëheqësve të BE -së ka ndryshuar – nga thirrjet drejtuar talebanëve për të lejuar refugjatët të largohen deri te shqetësimet mbi të drejtat e grave.
Ndërsa disa persona humbën jetën në Kabul, teksa përpiqeshin të largoheshin nga vendi duke u kapur pas një avioni të ushtrisë amerikane që po largohej, ministrat austriakë të brendshëm dhe të jashtëm sugjeruan gjithashtu se nëse nuk do të mundësohej strehimi i azilkërkuesve, BE -ja mund t’i dërgonte ata në vende të tjera.
Ministrat e jashtëm të BE-së, gjatë një takimi këtë javë u zotuan të parandalojnë çdo “lëvizje të emigrantëve në shkallë të gjerë” në Europë.
Për të arritur në Europë, refugjatët nga Afganistani duhet të hyjnë dhe të kalojnë në vende si Irani dhe Turqia, të cilat tashmë strehojnë miliona refugjatë dhe janë të zënë me forcimin e kufijve të tyre; ata duhet të shmangin bregdetin dhe rojet kufitare në të dy anët e kufirit turko-grek; dhe më pas të përballen me një breshëri kundërshtimesh të dhunshme ndërsa përpiqen të kalojnë në Ballkanin Perëndimor, raporton abcnews.al
Ministrat e punëve të brendshme të BE-së diskutuan fillimisht ardhjen e azilkërkuesve irakianë dhe afrikanë të cilët kaluan nga Lituania, Letonia dhe Polonia, për tiu larguar larguar regjimit bjellorus.
Nuk është për t’u habitur, diktatori bjellorus Aleksandër Lukashenko ka vënë re se sa e lehtë është të nxisë tensionet politike në Europë duke lejuar emigrantët dhe refugjatët të kalojnë kufijtë për në BE, një mjet të cilin e ka përdorur Erdogan dhe kohët e fundit, qeveria marokene.
Dhe ndërsa Komisionerja e BE -së për çështjet e brendshme Ylva Johansson theksoi se kthimet në Afganistan ishin të pajustifikueshme, Brukseli ka deklaruar se përpjekjet për të vulosur kufijtë e BE – me ose pa arritur marrëveshje me autokratët duhet të jenë në përputhje me vlerat e BE -së.
E vërteta është se udhëheqësit e BE -së nuk mund të vazhdojnë t’i kushtojnë vëmendje të dyja anëve të ndarjes ideologjike mbi migracionin, duke pretenduar se ata po bëjnë çmos për të mbrojtur civilët e rrezikuar në Afganistan, ndërsa, në të njëjtën kohë, sinjalizojnë se kufijtë e Europës janë të mbyllur për refugjatët dhe emigrantët.
Në vend të kësaj, BE -ja duhet të demonstrojë se ekziston mundësia që të menaxhohet migrimi në një mënyrë humane dhe të qëndrueshme. BE-ja duhet të përqendrohet në faktin se të gjitha vendet – përfshirë shtetet e saj anëtare t’i mbajnë kufijtë të hapur për njerëzit që po largohen nga dhuna dhe persekutimi.
BE -ja gjithashtu duhet të marrë parasysh thirrjet e fundit të agjencisë së OKB -së për të ndaluar deportimin e afganëve duke pezulluar zyrtarisht marrëveshjen që kishte nënshkruar me qeverinë afgane në fillim të këtij viti, dhe të përfundojë çdo fantazi të deportimit të afganëve në Iran ose Pakistan.
Dhe duhet të rrisë ndjeshëm kuotat e saj të zhvendosjes dhe mekanizmat humanitar të evakuimit për të mbrojtur sa më shumë refugjatë afganë gjatë rrugës për të arritur në destinacionin përfundimtar.
Në planin afatgjatë, Komisioni Europian duhet të rishqyrtojë Paktin për Migracionin dhe Azilin, të cilin e ka miratuar gati një vit më parë. Ndërsa tragjedia që po shpaloset në Afganistan po demonstron edhe njëherë se shumica e njerëzve që përpiqen të largohen nga luftërat qëndrojnë brenda vendit ose në vendet fqinje.
Në vend që të përshihet nga paniku, BE-ja duhet ta shfrytëzojë këtë mundësi për të siguruar që shtetet anëtare që ende respektojnë normat ndërkombëtare, të zbatojnë aktualisht ligjet ekzistuese të azilit dhe të bashkëpunojnë për të strehuar refugjatët në mënyrë të barabartë.
Situata aktuale nuk duhet t’u japë municion ekstremistëve që kërkojnë të minojnë BE -në – përkundrazi, duhet të tregojë se sa të izoluar janë ata.