DURRËS- Kryeministri Edi Rama gjatë takimit me përfaqësues të sektorit të turizmit në Durrës zbuloi projektin e ri për bregdetin e Durrësit. Gjatë fjalës së tij Rama u shpreh se synimi është që Shqipëria turistike me shërbimet dhe kulturën që ofron të sjellë sa më shumë turistë që vizitojnë vendin tonë dhe harxhojnë para për të marrë shërbimet këtu. Kryeministri theksoi se do të kemi një plazh tërësisht të rilindur, që do të lidhet me plazhin e ri që po krijohet tek marina e Durrësit. Sipas tij një projektet tjetër është ndërtimi i një sipërfaqeje toke në det, projekt që nuk është bërë ndonjëherë më parë.
“Ajo që duhet të synojmë është që të mos rrisim numrat pafundësisht, por të rrisim numrat që harxhojnë këtu, që sjellin para më shumë. Në këtë vend nuk kishte asnjë ligj për turizmin, ishte komplet xhungël, nuk kishte asnjë rregullore për plazhet, nuk kishte asnjë ndërveprim mes sektorit publik dhe atij privat. Kjo ka qenë situata dhe ky ka qenë kaosi që ne kemi trashëguar, por ajoi që vlen sot të përmendet është që kjo që kemi bërë është më mirë se ajo që kishim , por nuk mjafton për atë që duam të jemi. Këtu tek plazhi i Durrësit kemi bërë një investim të madh kapital për shëtitoren, tani kemi bërë një investim tjetër që do zbatohet për zgjerimin e vendeve ranore, me 100 metra. Pritet të arrihet vitin tjetër.
Do të kemi një plazh tërësisht të rilindur, që do të lidhet me plazhin e ri që po krijohet tek marina e Durrësit. Puna do të hyjë në një ritëm tjetër sapo të fillojë spostimi i portit tregtar. Kemi gjithashtu një projekt shumë ambicion, që urojmë ta çojmë përpara me një grup shumë të madh investitorësh që për herë të parë do të provojnë krijimin e një territori në det. Të gjitha këto rrisin investimet dhe përfitimet. Gjërat e reja që investojnë këtu është synimi për sa më shumë turistë, që paguajnë më shumë dhe sjellin më shumë”, tha Rama.