Belsh/ Tregu i ri mbyllur, tregtarët shesin në rrugë

0

“Xhadat” bënë një vëzhgim në qytetin e Belshit, ku konstatuan plot shitës ambulant në rrugët e qytetit, teksa sipas qytetarëve pazari bëhet ditën po në rrugë ditën e shtunë të çdo jave. Agjencia për Zhvillimin Bujqësor dhe Rural ka investuar për ndërtimin e një tregu të ri me vlerë 21 milionë lekësh në Belsh, një investim ky që u promovua në rrjetet sociale edhe nga Kryeministri Edi Rama. Edhe pse kryeministri tha se tregu i ri i Belshit është gati, “Xhadat” konstatuan se tregut i mungonin edhe tezgat. Mungesa e tregut agro-ushqimor në qendër të qytetit i detyron tregtarët të shesin në rrugë, duke e shndërruar atë në treg.

Tregtarët thonë se kanë vite që tregtojnë produktet e tyre në rrugë. Edhe pse është investuar për ndërtimin e tregut të ri, tregtarët ambulantë nuk pranojnë ta frekuentojnë atë pasi tregu i ri i Belshit është shumë larg qendrës.
“Tregu, bëhet brenda në qytet, që të jetë sa më afër qytetarëve. Unë nuk kam makinë, nuk kam me se të shkoj tek tregu i ri”, tha një tregtar.

Edhe qytetarët e këtij qyteti pohuan se tregu i ri i Belshit është shumë larg dhe se nuk kanë një automjet për të bërë pazarin atje. “Xhadat” iu drejtuan përmes një kërkese për informacion Bashkisë së Belshit në lidhje me tregun e ri të këtij qyteti.

Ky institucion na ka informuar se ndërtimi i tregut te ri është investim publik nga AZHBR dhe do të hapet shumë shpejt.

Bashkia na garanton se ky investim nuk do lejojë tregtarët ambulant të shesin produktet e tyre në trotuaret e qytetit.

Edhe pse tregu i ri është gati, ky institucion thotë se ende nuk ka një marrëveshje me tregtaret, por janë në proces dhe në tratativa për t’i dërguar këta të fundit në tregun e ri, i cili me makinë përshkruhet për gati 8 minuta, ndërsa në këmbë për 46 minuta.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu