Presidenti i Dhomës së Tregtisë të Serbisë (PKS), Marko Cadez, tha se 7,500 biznesmenë nga rajoni ishin në listën për vaksinim në Beograd dhe Nish dhe sipas Zëvendës Kryetarit të Bashkisë së Beogradit, Goran Vesic, kjo nuk do të ndikojë në procesin e vaksinimit në Serbi.
Numri më i madh i biznesmenëve të regjistruar është nga Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia Veriore dhe Mali i Zi, tha Cadez në Belekspo Center të Beogradit, ku u organizua vaksinimi i biznesmenëve nga rajoni. Sipas Vesic, Beogradi “po bëhet përsëri qendra e rajonit“.
“Vaksinimi i biznesmenëve nga rajoni nuk ndikon në procesin e vaksinimit të qytetarëve serbë, pasi Dhoma e Tregtisë e Serbisë siguroi vaksina përmes një fondi të veçantë,” theksoi ai.
Ai tha se deri më tani rreth 30 për qind e qytetarëve të rritur në Beograd kanë marrë dozën e parë të vaksinës dhe rreth 20 për qind kanë marrë të dytën.