Berisha: Asgjësimi mbrëmë i potencialit bërthamor të Ajetullahëve, një thirrje e fuqishme për iranianët që të bashkohen për përmbysjen e diktaturës!

0

TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar në lidhje me sulmet amerikane ne Iran. Berisha shkruan se kjo është një mundësi e re dhe një thirrje e fuqishme për iranianët në Iran dhe në botë të bashkohen për përmbysjen e diktaturës në vend. Ai shtoi se duket të bashkohen për një Iran të lirë dhe demokratik.

“Obliterimi, de facto asgjesimi mbrëmë i potencialit bërthamor të Ajetullahëve të Iranit nga fuqia ajrore e SHBA-së është një mundësi e re dhe një thirrje e fuqishme për iranianët në Iran dhe në botë të bashkohen për përmbysjen e diktaturës teokratike obskurantiste dhe për një Iran të lirë dhe demokratik,” shkruan Berisha.

Ushtria amerikane goditi tre objekte bërthamore iraniane, teksa Shtetet e Bashkuara u përfshin në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, duke rritur frikën për një luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme.

Trump njoftoi për “sukses spektakolar ushtarak” më 21 qershor, duke thënë se bombarduesit amerikanë goditën objektet bërthamore në Fordo, Natanz dhe Esfahan gjatë një përpjekjeje të përbashkët me Izraelin për të shkatërruar programin bërthamor të Iranit, pasi diplomacia dështoi ta kthente Teheranin në tavolinën e negociatave. Trump pretendoi se sulmet shkatërruan plotësisht objektet kyç të Iranit për pasurim të uraniumit.