Berisha debat me Manjën në parlament: Ku i ke kostumet e çantën Louis Vuitton?

0
Screenshot

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha dhe ish-ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kanë shkëmbyer replika gjatë seancës së sotme të Kuvendit. Akuzat mes tyre kanë shkaktuar ilaritet dhe humor në sallën e Kuvendit.

Gjatë fjalës së tij kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha iu drejtua ish-ministrit të Drejtësisë duke i thënë se ka një regjistrim të tij.

Ai e akuzoi Manjën se ka paguar që të mos dalë ai regjistrim.
“Ku iku ky i Louis Vuitton? Iku ky se edhe ai ka paguar. O Ulsi, edhe po ta ka shitur Dumani ty, atë e kam unë në dosje, regjistrimin tënd. Nuk ka shpresë që të dalësh”, tha Berisha por pa bërë me dije se për çfarë regjistrimi bëhet fjalë.

Deputeti i PS-së i ndërhyri nga vendi, ndërsa Berisha e akuzoi si të “inkriminuar” dhe vazhdoi: “Ku i ke kostumet? I ke fshehur apo i ke hequr?”

Në një moment, Manja hoqi xhaketën në shenjë reagimi dhe u shpreh: “Hajt t’i nxjerrim kostumet dhe të shohim sa kushtojnë, i imi dhe i joti.”

Berisha vazhdoi: “500 mijë euro janë veç nga çanta, i ke me regjistrim? I ke kërkuar një çantë Louis Vuitton dhe të kanë pyetur për kë e do? Ti sjell unë bashkë me dosjen dhe fashikullin, përveç se ke marrë 500 mijë euro, i ke kërkuar dhe një çantë Louis Vuitton dhe të kanë pyetur për kë e do, pastaj pjesën tjetër s’po ta them.”

Ish-ministri Manja iu përgjigj: “Sali, që të merremi vesh: ty të ka zënë sindroma e Stokholmit dhe nuk rri dot pa mua në këtë seancë. I ke përmendur këto kostume pafund. Unë të sfidoj: çfarë kostumesh vesh Ulsi Manja dhe çfarë vesh Sali Berisha? Le t’i nxjerrim, të shohim sa vlen e jotja dhe sa vlen e imja. Së dyti, ta kam thënë: unë nuk pres të më dal kush dhe të më shoqërojnë në raportin tim më drejtësinë. Atë ditë që do kërkojë një shërbim prej meje, do e respektoj. Sa për çantën “Louis Vuitton”, kam pyetur ChatGPT nëse ka ndonjë çantë 500 mijë euro dhe më tha se s’ka – kush ta ka thënë tjetër, gënjen. Sa për kostumet, të sfidoj: jam gati të vij aty te ti, të nxjerrim xhaketat tona, ti dhe unë, dhe t’i çojmë për ekspertim tekstili. Vetëm copa e jotja bën 2 mijë euro, pa asnjë punë shtesë”.