Në mbledhjen e grupit të PD-së një ditë më parë, deputeti demokrat Tritan Shehu është shprehur se nuk do të firmosë për dërgimin e paktit me Italinë në Gjykatën Kushtetuese.
Deputeti Xhelal Mziu i ka kërkuar të firmosë, duke i thënë se prandaj janë grup, ndërsa në replikë Shehu është shprehur se i vetmi autoritet që njeh është Berisha, teksa ka theksuar se nuk është pjesë e grupit të PD pasi është përjashtuar.
Në këtë moment deputetët kanë filluar të qeshin, ndërsa Ervin Salianji, Ina Zhupa, Tmor Alizoti dhe Asllan Ndogjani, janë shprehur pro dërgimit në gjykatë.
Edhe ish-kryeministri Sali Berisha ka thënë se duhet ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese duke shtuar se është rruga më e drejtë.
“Absurdi është që një parti e majtë në Shqipëri bashkëpunon me një të djathtë në Itali. Vetë e majta në Itali po e kundërshton. Unë mendoj që rruga më e drejtë është kjo që propozohet, që ta kontrolloj Gjykata Kushtetuese. E kuptoj shqetësimin e Tritanit, por mendoj se është e arsyeshme si rrugë. Se ne jemi kundër, por nëse marrëveshja ratifikohet ajo pastaj duhet të zbatohet edhe nëse jemi ne në pushtet. Por nëse gjykata kushtetuese vendos, ne pastaj kemi vendimin e gjykatës kushtetuese për të mos pranuar marrëveshjen”, tha Berisha.
Pjesë nga diskutimet:
Tritan Shehu: Unë nuk e firmos!
Xhelal Mziu: Funksionojmë si grup apo jo? Nëse jemi grup duhet të firmosim të gjithë. Nëse nuk jemi grup dhe nëse do shohim interesat personal tonat, atëherë pse e quajmë veten grup? Duhet të firmosim të gjithë
Tritan Shehu: I vetmi autoritet që unë njoh këtu është Sali Berisha. Unë nuk jam pjesë e grupit parlamentar të PD-së, se mua më kanë përjashtuar.
Salianji: Grupi parlamentar ka rregullore, ky është hap dhe akt real sepse ne nuk mund të bëjmë beteja me gjasme. E kemi kundërshtuar në publik këtë marrëveshje, e kundërshton opozita në Itali, e kundërshtoi Salvini që është partner koalicioni dhe po ashtu thuajse çdo organizatë që mbron të drejtat e njeriut.
Ina Zhupa: Marrëveshja me Italinë nuk është në përputhje me interesin kombëtar, të shqiptarëve dhe as me kushtetutën. Juridiksionin në territorin tonë e kemi vetëm ne edhe maksimumi Nato, për misione të përbashkëta. S’mund t’i japim pjesë të territorit tonë asnjë shteti tjetër, sa do mik ta kemi. Kur vjen puna të zgjedh mes Shqiperisë dhe çdo shteti tjetër, unë zgjedh interesat e vendit tim. Ky është realizmi dhe në marrëdhënien ndërkombëtare, ashtu do zgjidhnin edhe ata para nesh. Edhe për këtë mendoj biem dakort të gjithë. Përsa i përket prishjes së marrëdhënieve të mundshme me Italinë, nuk qëndron. E para se PS çoi në Kushtetuese marrëveshjen me detin dhe nuk prishi ndonjë marrëdhënie me Greqinë, përkundrazi ato kohë edhe i forcoi. Se dyti çuarja në kushtetuese përkundrazi na bën më të ndershëm me Italinë, që ne nuk e kemi sulm politik, por lidhet me kushtetutën e vendit dhe do flasë gjykata. Ne të marrim përsipër që do respektojmë verdiktin e Gjykatës Kushtetuese.
Berisha: Absurdi është që një parti e majtë në Shqipëri bashkëpunon me një të djathtë në Itali. Vetë e majta në Itali po e kundërshton. Unë mendoj që rruga më e drejtë është kjo që propozohet, që ta kontrolloj Gjykata Kushtetuese. E kuptoj shqetësimin e Tritanit, por mendoj se është e arsyeshme si rrugë. Se ne jemi kundër, por nëse marrëveshja ratifikohet ajo pastaj duhet të zbatohet edhe nëse jemi ne në pushtet. Por nëse gjykata kushtetuese vendos, ne pastaj kemi vendimin e gjykatës kushtetuese për të mos pranuar marrëveshjen.