TIRANË- Kryedemokrati Sali Berisha i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama gjatë një konference për mediat, duke u shprehur se nuk e di se sa etike është t’i japë një përgjigje ama e ndjen detyrim elementar ndaj qytetarëve shqiptar. Berisha deklaroi se Antony Blinken është non-grata në vendin e tij dhe uron që të paraqitet para drejtësisë amerikane.
Kryetari i PD-së tha se vizita e Blinken në Shqipëri u bë për të mbyllur skandalin e McGonigal por ai skandal nuk do të mbyllet kurrë.
PJESË NGA FJALIMI:
“Tani, që të më bësh mua të komentoj deklaratat e një njeriu të ndryrë, që ka frikë dhe tmerr nga gazetari, nuk e di sa është etike që unë t’i përgjigjem atij. Sepse unë dhe ai dhe çdo politikan kemi detyrim elementar ndaj qytetarëve shqiptarë të paraqitemi para gazetarëve. Pardje lexova një artikull, presidenti Donald Trump ishte paraqitur para gazetarëve dhe kishte komunikuar me gazetarët, në këtë hark kohor nga 20 janari gjer tani, 20 herë më shumë se pasardhësi i tij në 4 vite.
E kuptoni ju se me këtë qëndrim anti-transparencë, anti-media, nuk ia vlen ta konsiderosh për asgjë.
Për sa i përket asaj që tha ai, unë them dy fjalë, se Antony Blinken sot është non-grata në vendin e tij dhe uroj të paraqitet para drejtësisë amerikane. I them gjithashtu se në qoftë se Blinken bëri një vizitë blic në Shqipëri, i paguar apo i papaguar, nuk di gjë, për t’i mbuluar skandalin e tmerrshëm McGonigal, kazani po zien. Ai skandal nuk mbyllet kurrë. Kjo është përgjigja ime për sa tha,” tha Berisha.