TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale deklaroi se PD do të marrë përsipër një ndryshim të fuqishëm dhe të shpejtë të gjendjes së shqiptarëve. Lideri i opozitës gjithashtu u shpreh se dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, rikthimi i pronës, natyrisht një arsim dhe kujdes shëndetësor cilësor do jenë përparësitë absolute.
“Pa asnjë diskutim që do ketë një pagesë dhe një zgjidhje përfundimtare. I dashur Gjovalin, ju keni dëgjuar zotimin tonë solemn, përmbysjen e shpërndarjes të të ardhurave kombëtare dhe buxhetit të shtetit. Do përmbysen. Çfarë nënkupton kjo? Do shkojnë drejt qytetarit. Do u japim përgjigje të gjitha këtyre problemeve të trashëguara dhe pastaj do ecim… Përparësi absolute këto dhe të dytat vijnë të tjerat. Përgjigja ndaj pensioneve, minimumi jetik, rroga minimale, pagesa e papunësisë, ndihma ekonomike, marrin përgjigje 3 muajt e parë.
Dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë, rikthimi i pronës, natyrisht një arsim dhe kujdes shëndetësor cilësor do jenë përparësitë absolute tonat. Askush të mos mendojë se ora e ndërtimit, ora e zhvillimit do ndalojë. Jo, absolutisht. Përkundrazi. U rikujtoj këtu se ne kemi pasur gjysmën e këtij buxheti që është sot, se ne ua linim bizneseve, kishim taksa të ulëta. Me atë gjysmë ne kemi dyfishuar rroga dhe pensione.
Me atë gjysmë ne kemi ndërtuar dhe rindërtuar 11 mijë kilometra rrugë. Mbyllni për një moment sytë dhe mendoni sa kanë ndërtuar dhe rindërtuar këta. Kanë ndërtuar 20 kilometra rrugë dhe kanë bërë 35 kronika që është ndërtuar Ura e Limuthit dhe ato me paratë e privatit. Ndërtuan Unazën e Madhe përgjysmë dhe së fundmi Lubi Loti e ndau në 13 lote kilometrat e fundit, që nuk ka ndodhur kurrë në histori. Pra, ne marrim përsipër një ndryshim të fuqishëm dhe të shpejtë të gjendjes së shqiptarëve. Të gjendjes ekonomike, biznesit, fermave dhe mbarë Shqipërisë,” tha Berisha.