TIRANË- Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka zhvilluar pasditen e sotme një takim me degën e PD Kamëz. Gjatë fjalës së tij Berisha u shpreh se PD do të vendosë minimumin jetik për çdo banor të këtij vendi dhe se nuk do ketë shqiptar që të mos marrë 200 euro. Ai shtoi se nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro.
Berisha shtoi se një pensionist blen 40 përqind më pak se në vitin 2013. Kreu i PD-së theksoi se ka ftuar kryeministrin, Edi Ramën të dalë me të në studio televizive të tregojë se ku janë paratë, por nuk del dot se ai ia nxjerr vjedhjet një e nga një.
Fjala e Berishës:
Së pari, do vendosim minimumin jetik për çdo banor të këtij vendi, nuk do ketë shqiptar që të mos marrë 200 euro. Mbi këtë bazë do llogariten pensionet. Nuk do ketë rrogë minimale nën 500 euro.
Dhe unë jam këtu për t’u zotuar para jush se 500 euro nuk nënkupton vetëm rrogën në administratë shtetërore, jo, në territorin e Shqipërisë nuk do ketë njeri që do paguajë një punëtor më pak se 500 euro në muaj. Absolute! Ligjet do mjerojnë atë që do mendojë të paguajë më pak se kaq.
Ne e kuptojmë se kjo është një barrë për sipërmarrjen, por ne qëndrojmë për t’i lehtësuar ato në mënyra nga më të shumtat, në mënyrë që ata të mos paguajnë punëtorin kurrë më pak se 500 euro. Nuk do ketë rrogë mesatare nën 1200 euro. Të dashur miq, çfarë ndodh në këto 12 vite? Në këto 12 vite ka ndodhur diçka shumë e veçantë, në qoftë se pensionet kanë ngelur, një pensionist blen 40 përqind më pak se në vitin 2013, rrogat e larta u rritën në qiell. Rrogat e larta në Shqipëri janë më të lartat në rajon, disa prej tyre edhe më të larta se Sllovenia, e cila ka kapur vendet e zhvilluara të BE.
Pra, krijohet kështu një nomenklaturë gjakpirëse, e cila nuk pyet për askënd përveç vetes së vet.
Kjo merr fund. Gjersa shqiptarët të dalin në krye për rrogat dhe pensionet në gjithë rajonin, rrogat e larta nuk do rriten asnjë qindarkë. Cilido që do u thotë ju, ku janë këto para, unë e kam ftuar Edi Ramën të dalë me mua në studio televizive po ia mbajti, t’i tregoj se ku janë paratë, por nuk del dot se ia nxjerr vjedhjet një e nga një. Paratë janë miqtë e mi, sepse kemi pasur gjysmën e këtij buxheti, kemi dyfishuar rroga dhe pensione dhe kemi ndërtuar 11 mijë kilometra rrugë.
Po pse? Sepse nuk mundet të ndërtonim ne një rrugë me 10-fishin e çmimeve që ndërton Kroacia tani. Në Kroaci, një km autostradë, 27 metra e gjerë, midis Manastirit dhe Bjelli Osekut, kushtuan gjithsej 27 milionë euro. 1.6 mln për kilometër. Merrni pak sa ka kushtuar Rruga e Arbrit, rruga që nuk mbaon kurrë. Gjer tani ka arritur 11 milionë euro për kilometër. Unaza e Tiranës ka shkuar nga 32 milionë tek Shqiponja, tek 16-17 milionë në zonën tjetër afër Linzës. Me këto çmime nuk ndërton kush në botë.
Çfarë ka bërë Rakip Velia këtu në Kamëz? U ka futur buldozerin 10 shkollave që nuk kishin asnjë dëmtim nga tërmeti dhe i ka rindërtuar me çmimin 5 deri në 7 herë më shtrenjtë se sa është standardi evropian i ndërtimit. Miq, ndërtimet kanë manuale që tregojnë se ky material ndërtimi kushton kaq e kaq. Cilido që sheh këto manuale, çmimi i materialeve të ndërtimit nuk është rritur më shumë se 30-35 përqind. Çmimi i materialeve të ndërtimit për Rakip Velinë është rritur 600-700 përqind. Pra, ja ku janë paratë. Çfarë dua të them me këtë? Që këto para jo vetëm dalin për të realizuar këto objektiva, por u garantoj se këto para do dalin për të ndërtuar projekte shumë më të mëdha se këta.