Berisha: PD ka në epiqendër familjen e taksat e ulëta, janë kusht themelor i suksesit të biznesit

0

FIER- Kryedemokrati Sali Berisha premtoi taksa të ulëta dhe ndihmë të madhe për biznesin e vogël në Fier. I ndodhur në këtë qytet teksa prezantoi kandidatin e PD-së për Bashkinë e Fierit, Edvar Kodheli, Berisha tha se ai është një economist që do ta vendosë qytetarin në kryeqendër të reformave të tij. Berisha shtoi se taksat e ulëta janë një kusht themelor i suksesit të biznesit dhe i dy apo trefishimit të bizneseve në qytete. Taksat e ulëta, sipas kryedemokratit janë një gjenerator i fuqishëm i krijimit të vendeve të punës.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Demokrate e demokratë të Fierit, qytetare e qytetarë, banorë të këtij rrethi, zonja e zotërinj. Një përshëndetje të përzemërt, një mirënjohje të pakufishme për këtë takim entuziast, përcillni sonte në të 4 anët e këtij qarku dhe mbarë Shqipërinë mesazhin e fuqishëm të fitores së 14 majit, mesazhin e ndryshimit, mesazhin e shpresës për mbarë shqiptarët. Është një nder i veçantë për mua, është një kënaqësi e madhe për mua të vij sot këtu dhe të paraqes kandidatin për kryetar Bashkie, Edvar Kodhelin, i cili, e vërteta është se nuk është kandidat i Sali Berishës, i kryesisë së PD-së, por i juaji, demokrate e demokratë të Fierit, i votës tuaj, vullnetit tuaj dhe unë e mbështes me të gjithë fuqinë time, me të gjitha mundësitë e mia. Edi, Eduarti, Sofia, Aureli, Erditi, dhe të gjithë kandidatët tanë nga jugu në veri, janë kandidatët të votës së lirë, kandidatë të vullnetit tuaj, kandidatë të një standardi më të avancuar që ekziston sot. Këtu në Fier dhe kudo që kam shkuar, anëtarët e anëtaret e PD-së, me shumë të drejtë, kërkuan një vit e gjysëm më parë që të ishin ata që të përzgjidhnin, që të votonin kryetarin e partisë, kandidatin për kryetar bashkie, kandidatët për deputetë dhe një zotim i marrë solemnisht para jush, sot është realitet. Të gjithë këta janë nuse dhe dhëndurë të lirisë, janë njerëzit e besimit tuaj.

Me këtë proces, ne kemi përmbysur një praktikë dhe kemi vendosur lirinë, dinjitetin tuaj në themel, të përfaqësimit. Sot këta kandidatë, detyrohen ndaj jush dhe unë kam bindjen se nesër në detyrën e qytetarit të parë të bashkisë, do të jenë shërbëtorë të përulur para jush të përkushtuar dhe do të jenë menaxherë të aftë dhe jam i sigurtë se do të ndryshojnë për mbarë qytetet ku ata do të zgjidhen. Unë ndoqa me shumë interes fjalën e Edvar Kodhelit, fjalë e cila shquhej nga dy tipare themelore. Së pari, vendosja e qytetarit në epiqendër dhe së dyti një realizëm i madh. Ju garantoj se Edvar Kodheli, kryetar i një bashkie dhe një moment që PD nuk është akoma në pushtet, por ka pushtet të fuqishëm të dhënë nga ju, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore jetën tuaj, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore shërbimet ndaj qytetarëve, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore klimën ndaj biznesit, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore veprimtarinë e fermerëve tanë, për të përmirësuar në mënyrë thelbësore sistemin arsimor, shërbimin shëndetësor.

Dhe ky pushtet buron para së gjithash nga vendosmëria e tij për të përdorur me transparencë para jush, çdo qindarkë të taksave tuaja. Buron nga vendosmëria dhe detyrimi i tij për të zbatuar filozofinë e partisë konservatore demokratike, filozofi e cila ka në epiqendër familjen, respektin, mbështetjen e saj, ka në epiqendër dinjitetin e saj dhe respektin ndaj njeriut. Ka në epiqendër taksat e ulëta. Taksat e ulëta janë një kusht themelor i suksesit të biznesit. Taksat e ulëta janë një kusht themelor, i dy dhe trefishimit të bizneseve në qytete. Taksat e ulëta janë një gjenerator i fuqishëm i krijimit të vendeve të punës. Por, po kështu kryetari i ardhshëm i bashkisë, në zbatim të programit të PD, do të ketë një interes madhor për fermerët në të 4 anët e këtij qarku. Në filozofinë tonë nuk ka vend të zhvilluar pa fshat të zhvilluar. Nuk ka vend të begatë pa fshat të begatë dhe ju siguroj se Edvar Kodheli do të bëjë gjithçka për të ndihmuar fermerët e Fierit, për të ndihmuar në organizimin e veprimtarive të tyre, për të lehtësuar taksat që i rëndojnë, për të investuar në sistemin e kanalizimeve, infrastrukturës.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu