BULQIZË- Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha është ndalur në Bulqizë në takimin përmbyllës të fushatës elektorale. Berisha u shfaq në fjalimin e tij para qytetarëve me kokoren e minatorit vendosur, ndërsa premtoi se brenda 100 ditëve në qeveri do të miratohet statusi i minatorit.
Gjatë fjalës së tij, kryedemokrati se do të parashikohet një rrogë minimale prej 1 mijë euro për minatorët, ndërsa shtoi se pensionet e tyre do të jenë ndër më të lartat në vend. Ai theksoi se çështja e statusit të minatorit do të jetë një nga çështjet më serioze të tyre.
PJESË NGA FJALA E BERISHËS:
Mirëdita dhe përshëndetjet e mia më të përzemërta, ju qytetarëve të Bulqizës të pranishëm në këtë sallë, por edhe të gjithë banorëve të këtij rrethi kudo që janë. Dua të përulem me shumë nderim para jush, burra dhe gra të Bulqizës, për kontributin e jashtëzakonshëm që keni dhënë në ekonominë, në shkencën, në dijet, arsimin, kulturën e këtij vendi. Unë vij sot tek ju edhe me një ndjenjë të fortë përgjegjësie. Në fakt edhe me një ndjesë reale për padrejtësitë që janë bërë ndaj jush. Shoqëria shqiptare, shteti shqiptar kanë qenë të padrejtë ndaj minatorëve të Bulqizës dhe Shqipërisë.
E them këtë sepse ju, baballarët tuaj, njerëzit tuaj, në dekada e dekada, keni derdhur lumenj djerse nëntokë në kushte shumë të vështira me sakrifica të mëdha, herë herë dhe jetën dhe ju nuk keni marrë, nuk jeni shpërblyer asnjëherë për atë që meritoni. Unë kam biseduar në mënyrë të përsëritur me përfaqësuesit tuaj, me kryetarin e sindikatave, Përparimin, Shaqirin, dhe vij para jush me një koncept të ri. Dhe ky koncept është ky: Shoqëria ka borxh të madh ndaj minatorëve. Siç ka borxh ndaj pronarëve, ndaj të përndjekurve politikë. Tre janë kategoritë ndaj të cilave shoqëria shqiptare ka detyrime. Dhe u garantoj se vij i vendosur në mënyrë përfundimtare që ndaj këtyre tre kategorive, borxhi të shlyhet.
Kjo do të thotë se në 100 ditët e para do firmoset dhe do zbatohet statusi i minatorit. Kjo do të thotë se do parashikohet rrogë minimale 1 mijë euro. Minimalja! Kjo do të thotë se pensionet tuaja do jenë më të lartat në Shqipëri. Në krye! Kjo do të thotë, natyrisht bëj një sqarim këtu, sipërmarrësit ne i përgjigjemi që do detyrohet të lëvizë rrogën nga 800 në 1 mijë e më tutje, ne do i përgjigjemi atij. Ne do e lehtësojmë atë në taksa. Ne do ia ulim taksat atij. Ne do ia shesim energjinë atij nga 18 lekë në 6 lekë. Dhe do bëjmë një gjë shumë të madhe për sipërmarrësin eksportues.
Do kompensojmë qindarkë për qindarkë euron që e shtrinë përdhe trafikantët. Futet narkoeuro me kontejner dhe këtu ndërmarrja falimenton se ai me euro eksporton. Por euroja e zhvlerësuar atë e dëmton 35 përqind. Qëllimi ynë është që këto pasuri botërore, Bulqiza përsëri ka rezerva botërore kromi, absolutisht ua them unë këtë. Janë bërë studime nga kompanitë më të mëdha në botë. Ata më thanë mua se janë akoma edhe 22 milionë ton për t’u shfrytëzuar.Nuk është vetëm Bulqiza. Shqipëria ka pasuri përrallore minerare. Malet e saj janë mineral. Kështu që çështja e statusit do jetë një nga çështjet më serioze tona.