Bizneseve u bllokohen blerje-shitjet nga mosfunksionimi i plotë i platformës SelfCare; Kontabilistët: Serveri i faturave në kolaps

0

Që në ditët e parë të 2022 bizneset përballen me keqfunksionim të portalit SelfCare për lëshimin e faturave të fiskalizuara. Subjektet pohojnë probleme të ndryshme që kanë nisur që nga 3 janari dhe janë shtrirë masivisht edhe tek të tjerë më 4 janar.

Sot aktiviteti është bllokuar për shumë sipërmarrje që në orët e para të mëngjesit. Bizneset nuk mundën të lëshonin fatura të fiskalizuara për blerje-shitje, pasi nuk shfaqej asnjë e dhënë në platformën qendrore të faturave. Disa orë më pas bizneset thanë se në platformë nisën t’u shfaqej vetëm vendi i ushtrimit të aktivitetit, ndërsa mungonte e dhëna e adresës dhe kodit të tyre. Problemet me funksionimin e portalit SelfCare janë konfirmuar edhe nga kontabilistët. Administrata Tatimore dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë nuk përgjigjet për arsyet e mosfunksionimit të plotë të sistemit.

Ekonomisti Atos Pesha i tha “Monitor” se ka një kolaps në platformën qendrore të faturave dhe bizneset kanë gjithë paraditen që nuk po punojnë dot. Në sistem janë fshirë vendet e ushtrimit të aktivitetit, arkat dalin me 0.

Sotiraq Dhamo nënvizoi për Monitor se nga komunikimet e vijueshme që ka pasur me sipërmarrjet prej tyre raportohen probleme të ndryshme. “Prej 2 ditësh shumë biznese nuk po arrijnë të shesin. Problemet që janë shfaqur në platformën qendrore të faturave janë nga më të ndryshmet. Një sipërmarrje lëshon vetëm faturat nëpërmjet bankës, ndërsa e ka të pamundur të lëshojë faturat me para në dorë dhe as deklarimet e gjendjes, pasi sistemi nuk pranon deklarimin e gjendjes cash në fillim të ditës. Për disa të tjerë në faturë u shfaqen disa të dhëna, ndërsa u mungon ajo e adresës.

Aktiviteti për disa nga rrjetet e supermarketeve më të mëdha është bllokuar, pasi e kanë të pamundur të kryejnë furnizimin me mallra me fatura të pafiskalizuara. Pavarësisht se faturat e lëshuara nëpërmjet blloqeve tatimore fiskalizohen brenda 48 orëve, bizneset nuk kanë marrë riskun, duke mos pranuar shitjet nga bizneset e tjera. Pra këto biznese nuk po arrijnë të furnizohen. Disa biznese të tjera raportojnë se mund të lëshojnë fatura të fiskalizuara për blerjet me para në dorë, ndërsa nuk lëshojnë fatura të fiskalizuara për blerjet pa para në dorë. Në sistem këto fatura shfaqen “error””.

Kontabilisti Dhamo thotë se mungesa e shfaqjes të disa të dhënave tregon keqfunksionim të sistemit.

“Kjo situatë është krijuar për shkak të mungesës të menaxhimit të sistemit nga administrata tatimore. Numri i bizneseve të hapura në këto ditë nuk është shumë i lartë, që të mund të kishim të bënim me bllokim të sistemit. Sistemi nuk është mirëmbajtur këto ditë, për këtë arsye serveri është në kolaps. Nëse këto probleme do të vazhdojnë është e pamundur që sistemi të funksionojë kur të jenë të fiskalizuara të gjitha bizneset”.

Mosfunksionimi i plotë dhe bllokimi i herë pas hershëm i portalit SelfCare është ngritur si shqetësim disa herë nga bizneset dhe kontabilistët. Ekspertët të gjitha problematikat e hasura në platformën qendrore i paraqitën në raportin e fiskalizimit të botuar në muajin dhjetor nga departamenti i kontabilitetit të Fakultetit Ekonomik. Kontabilistët kërkuan që shtyrja e afatit të periudhës pa gjoba, si për biznesin e madh dhe të vogël të jetë deri në zgjidhjen e këtyre problematikave. Në muajin dhjetor MFE miratoi shtyrjen e periudhës pa penalitete vetëm për biznesin e vogël edhe për 6 muaj. Deri në mesin e muajit dhjetor rezultuan të fiskalizuar 42% e biznesit të vogël. Në total ishin të fiskalizuar 50% e sipërmarrjeve aktive.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu