Elbasan, 4 Korrik 2025 – Anëtari i Këshillit Bashkiak të Elbasanit, Bledi Himçi, ka denoncuar publikisht vendimin për rritjen e çmimit të ujit të pijshëm në të gjitha bashkitë e qarkut, një ndryshim që do të hyjë në fuqi më 1 gusht 2025, pas miratimit nga Enti Rregullator i Ujit (ERRU).
Sipas Himçit, tarifa e re – e cila rrit çmimin nga 40-48 lekë për metër kub në 60 lekë, dhe deri në 87 lekë për Gramshin – është një goditje për familjet elbasanase, sidomos në një kohë kur qytetarët përballen me vështirësi ekonomike dhe mungesë të furnizimit të rregullt me ujë.
“Uji, një e drejtë themelore për çdo qytetar, po kthehet në luks për banorët e Elbasanit. Vendimi është i padrejtë dhe i papërgjegjshëm,” – u shpreh Himçi.
Ai theksoi se rritja e tarifës është miratuar një vit më parë në Këshillin Bashkiak vetëm me votat e mazhorancës, pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, dhe vjen si rezultat i politizimit të ndërmarrjes së ujësjellësit dhe keqmenaxhimit financiar.
“Justifikimi për ‘mbulim kostosh’ dhe ‘përmirësim performance’ është një fasadë për dështimet e akumuluara. Në realitet, në shumë lagje, furnizimi me ujë është i çrregullt dhe shërbimi është përkeqësuar,” – deklaroi ai.
Himçi kritikoi edhe reformën e Ministrisë së Infrastrukturës, që sipas tij, ka larguar kompetencat nga pushteti vendor dhe i ka kaluar ujësjellësat në varësi të qarqeve, duke krijuar struktura të mëdha, joefikase dhe pa kontroll qytetar.
Sipas përllogaritjeve të bëra nga opozita, fatura mujore për një familje do të rritet mesatarisht me 600 deri në 900 lekë, ndërkohë që ERRU ka kërkuar instalimin e ujëmatësve dhe përmirësim të sistemit të matjes, gjë që ende nuk është realizuar.
“Në një nga qarqet më të varfra të vendit, ky vendim është jo vetëm i padrejtë, por i papërgjegjshëm. Elbasani ka nevojë për investime të ndershme dhe shërbime funksionale – jo për fatura të fryra e për luks që nuk mund të përballohet,” – përfundoi Himçi.
Opozita në Këshillin Bashkiak ka paralajmëruar se do të vijojë kundërshtimin institucional dhe publik ndaj kësaj politike tarifore që rëndon më së shumti mbi shtresat në nevojë.