Kandidati për deputet i PD – ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’, prezanton programin elektoral dhe thekson masat konkrete për shtresat në nevojë: minimumi jetik 200 euro, ndihmë ekonomike dhe pensione të denja.
Në një bisedë të drejtpërdrejtë dhe pa filtra në podcastin’ Bahiti’s Podcast’ e moderuar nga Anisa Bahiti, Blendi Himçi – kandidat për deputet i Partisë Demokratike – ‘Aleanca për Shqipërinë Madhështore’ në qarkun e Elbasanit – theksoi se partia që ai përfaqëson ka një program të mirëfilltë dhe të mbështetur nga ekspertiza ndërkombëtare.
“A ka vërtetë programe politike reale apo vetëm një shou në tërësi?” – ishte pyetja me të cilën nisi diskutimi, e që Himçi e përdori për të theksuar dallimin mes premtimeve boshe dhe një programi konkret të ndërtuar mbi baza financiare të qëndrueshme.
“Programi ynë është hartuar me ndihmën e ekspertëve të CDU-së, partisë më të madhe qeverisëse në Gjermani,” tha Himçi. “Ai nuk është një listë dëshirash, por një plan i bazuar në të ardhurat kombëtare, në arsyetim financiar, si dhe në analizën e shpenzimeve dhe investimeve që planifikohen për katër vitet e ardhshme.”
Një nga pikat kryesore të këtij programi është vendosja e minimumit jetik prej 200 eurosh, që do të reflektohet njëkohësisht në ndihmën ekonomike dhe pensionin minimal.
“Minimalisht, kjo është çfarë kemi vendosur. Sepse realiteti sot, sidomos në zonat rurale, është i trishtë. Pensione që variojnë nga 10 deri në 120 euro nuk mund të quhen të denja për jetesë,” shtoi ai.
Sipas Himçit, ky program fokusohet veçanërisht te shtresat në nevojë, që sipas tij janë shtuar ndjeshëm gjatë 12 viteve të fundit të qeverisjes së Partisë Socialiste.
Podcasti ku u zhvillua kjo intervistë, i njohur për formatin e tij të hapur dhe dialogun direkt, po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në arenën politike dhe publike, duke u kthyer në një hapësirë të rëndësishme për njohjen me idetë dhe qëndrimet e kandidatëve.
Podcasti i plotë: