Gjatë ditës së sotme policia njoftoi për një aksion në zonën e Shijakut, ku kishte zbuluar një laborator për prodhimin e kriptomonedhave, dhe thuhej se ishte arrestuar një person.
Por duket se aksioni i policisë është në kushtet e paligjshmërisë sa kohë që biznesi në fjalë është i regjistruar në QKB, dhe ka kontratë të rregullt me OSHEE-në.
Po ashtu paisjet që janë gjetur për prodhimin e kriptomonedhave janë futur ligjërisht në vendin tonë. Administratori i kompanisë ‘crypto world 2’, shprehet se biznesi i tij është tërësisht i ligjshëm, dhe se në kodin penal të RSH nuk ka asnjë dispozitë ligjore që të ndalojë prodhimin e kriptomonedhave.
“Shoqëria tregtare mund të ushtrojë çdo veprimtari, e cila nuk ndalohet me ligj”, thuhet qartë në ligjin për shoqëritë tregtare në vendin tonë.
Administratori i kompanisë thotë se pavarësisht aksionit dhe një personi të shoqëruar, policia nuk ka ndërhyrë te makineritë, pasi ato janë në punë, sa kohë që biznesi është i ligjshëm.
“Ky rast është komplet bllof pasi nuk ka asnjë bazë ligjore. Deri tani të gjitha rastet që janë zbuluar dhe ndjekur penalisht në vetvete kanë pasur lidhje me vjedhjen e energjisë elektrike, fshehjen e të ardhurave, evazion fiskal, ose futjen kontrabande të paisjeve kompjuterike.
Nuk ka asnjë dispozite ne kodin penal ku parashikon ndalimin ne te prodhimit te bitcoin apo kriptomonedhave te tjera. Tek ne te pakten nuk është e jashteligjshme.
Biznesi është i deklaruar edhe ne QKB, ka kontrate te rregullt me OSHEE, deklarohen te ardhurat dhe te gjitha paisjet jane importuar dhe zhdoganuar sipas dispozitave ligjore. Perpara se te fillonte si aktivitet i eshte derguar shkrese edhe Drejtorisë së Policisë, dhe Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare”, thotë në reagimin e tij administratori i kompanisë.