Bllokohet përkohësisht aksi nga tuneli i Llogarasë në Dhërmi, shpërthimi me dinamit mbush rrugën me inerte

0

Qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor që lidh tunelin e Llogarasë me Dhërmiun dhe Himarën është bllokuar ditën e sotme, duke krijuar vështirësi për banorët dhe drejtuesit e mjeteve në zonë.

Shkak për këtë situatë është bërë procesi i punimeve për zgjerimin e rrugës në zonën e Palasës.

Firma kontraktore që po kryen punimet ka përdorur lëndë plasëse për të shkëputur një masiv shkëmbor, pjesë e projektit për hapjen e trasesë së re.

Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm me dinamit, një sasi e madhe inertesh dhe gurësh ka përfunduar në rrugën ekzistuese, duke e bërë atë të pakalueshme për momentin.

Kjo ka sjellë paralizimin e lëvizjes në këtë segment të rëndësishëm turistik dhe strategjik për zonën e Bregut.

Situata po menaxhohet nga vetë firma private që shkaktoi bllokimin.

Mjetet e rënda të kompanisë ndodhen aktualisht në terren dhe po punojnë me intensitet për pastrimin e inerteve dhe gurëve nga asfalti, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në qarkullim.

Deri në pastrimin e plotë të aksit, drejtuesve të mjeteve u kërkohet durim dhe kujdes i shtuar në këtë segment.