Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), në koordinim me Policinë e Shtetit, ka vendosur bllokimin e përkohshëm të qarkullimit në autostradën Tiranë–Durrës, për të mundësuar punimet rehabilituese në segmentin Vora – Ura e Dajlanit.
Sipas njoftimit zyrtar, bllokimi do të zbatohet nga ora 23:00 deri në 06:00 të mëngjesit, duke filluar nga 14 tetori, në këto segmente: Vorë – Maminas; Maminas – Sukth; Sukth – Fllakë; Fllakë – Mbikalimi i Shkozetit; Mbikalimi i Shkozetit – Ura e Dajlanit.
Për çdo segment, punimet pritet të zgjasin 1 deri në 2 ditë, në varësi të kushteve atmosferike dhe progresit të punimeve.
Gjatë bllokimit, qytetarët duhet të përdorin rrugën alternative: Vorë – Maminas – Katër Rrugët e Shijakut – Durrës.
Pas përfundimit të punimeve në drejtimin Vorë–Durrës, ndërhyrjet do të vazhdojnë në kahun tjetër, Ura e Dajlanit – Vorë, duke ndjekur të njëjtin plan dhe afat kohor.
ARRSH thekson se këto ndërhyrje janë të domosdoshme për rehabilitimin e infrastrukturës rrugore dhe për rritjen e sigurisë, duke ftuar qytetarët për mirëkuptim dhe respektim të rrugëve alternative.
Në përfundim, autostrada Tiranë–Durrës pritet të ofrojë një standard më të lartë sigurie dhe komoditeti, duke reduktuar trafikun dhe amortizimin e shtresave të rrugës.





