Aksi Librazhd–Pogradec po hyn në territor të kuq. Në zonën e njohur si “Arrat e Gurrës”, rrëshqitja e dheut është përkeqësuar ndjeshëm gjatë orëve të fundit, duke detyruar Autoritetin Rrugor Shqiptar të ndalojë qarkullimin për mjetet me tonazh të rëndë dhe autobusët. Vendimi është marrë në koordinim me Policinë e Shtetit dhe mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë.
Shembja ka avancuar. Rreziku është real. Kamionët dhe autobusët nuk do të lejohen të kalojnë në këtë segment, ndërsa qarkullimi po mbahet nën vëzhgim të vazhdueshëm.
Pamjet e siguruara nga ditët e fundit tregojnë gërryerje masive të shtratit të lumit Shkumbin, pas marrjes së inerteve pikërisht në zonën ku ka ndodhur rrëshqitja dhe shembja e njërës korsi të rrugës. Një plagë e hapur nën asfalt, që sot po kërkon faturën.
Situata po bëhet edhe më emergjente: ura është çarë dhe rrezikon të shembet. Një hap më tej dhe ky aks nuk flet më për kufizime, por për bllokim total.
Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën dhe udhëzimet e Policisë. Rruga po flet. Pyetja është: a po e dëgjon kush, para se të jetë vonë?





