Policia e Dibrës ka njoftuar se mbrëmjen e 9 majit, rreth orës 21:15, ka marrë një telefonatë denoncimi Xhemal Gjunkshi, kandidat për deputet nga radhët e Partisë Demokratike, i cili ka pretenduar se përfaqësues të Partisë Socialiste po shpërndanin para në këmbim të votave në njësinë administrative, Maqellarë.
Menjëherë pas sinjalizimit, në terren është dërguar një grup i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër, i cili, nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit, ka kryer veprimet e para procedurale dhe hetimore.
Paund e dollarë në Dibër/ Eksponentë të PD-së bllokuan makinën e Blendi Klosit dhe biznesmenit!
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, materialet janë referuar pranë SPAK për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, ndërsa në hetim janë përfshirë edhe veprat “Vetëgjyqësia” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”.
Të proceduar për këtë ngjarje janë shtetasit A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç (kandidati denoncues i PD-së); si dhe E.Gj., 33 vjeç.
Njoftimi i Policisë Dibër:
Me datë 09.05.2025, rreth orës 21.15, në sallën Operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër ka mbërritur një telefonatë nga shtetasi Xh.Gj., (kandidat për deputet i subjektit politik Partia Demokratike), i cili shprehej se në Maqellarë, përfaqësues të subjektit politik të Partisë Socialiste dyshohej që shpërndanin shuma parash në këmbim të votave, banorëve të kësaj njësie.
Menjëherë, në adresën e dhënë ka shkuar grupi i posaçëm hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Dibër dhe nën drejtimin e SPAK dhe Prokurorisë së Rrethit Dibër, janë kryer të gjitha veprimet e duhura hetimore.
Për sa më sipër, u referuan materialet procedurale pranë SPAK, për veprën penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”, e lidhur me veprat penale “Vetëgjyqësia”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit rrugor”, në ngarkim të shtetasve A.K., 29 vjeç; H.H., 48 vjeç; Xh.Gj., 62 vjeç; E.Gj., 33 vjeç.