Ministrja e Financave dhe Ekonomisë Delina Ibrahimaj dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Frida Krifca kanë dalë në një komunikim për media në lidhje me situatën e çmimeve në vend.
Ministrja Ibrahimaj ka njoftuar se ditën e sotme ka nisur punën bordi miratimit dhe transparencës për çmimet e ushqimeve të shportës, i cili do të monitorojnë tregun në vend për këto produkte.
Ibrahimaj ka sqaruar se ky bord do të përcaktojë instrumentin që do kontrollojë çmimet dhe nuk do lejojë që të rriten në mënyrë abuzive me ato të importit. Ndër të tjera, ministrja njoftoi se ka pasur kompani që janë ofruar për të zeruar marshin e fitimit për të lehtësuar rritjen e çmimeve.
“Sot është mbledhur bordi i monitorimit dhe transparencës së çmimit të produkteve të shportës. Kjo është situatë e pazakontë, në të cilën ne nuk do të donim të ndërhynim dhe që ka nevojë për monitorim. Jo që ka pasur abuzim, por lufta krijon pasiguri dhe ka bërë që të ketë rritje të larta të çmimeve për disa produkte të shportës. Këto çmime jo në të gjitha rastet tregojnë për rritje të çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Qëllimi i bordit është përcaktimi i instrumentit që do kontrollojë çmimet dhe nuk do lejojë që të rriten në mënyrë jokonsistente me ato të importit.
Tregu nuk monitorohet lehtë, disa prej tregtarëve janë importues direkt, disa janë përpunues e disa paketues e shitës. Bordi do të ketë si detyrë monitorimin e kostove të prodhimit për të gjithë tregtarët kryesorë dhe monitorimin e marzheve të fitimit. Kompanitë prezentë në mbledhjen sot kanë dhënë dakordësi për të patur marzh fitimi minimal mbi produktet bazë, më të rëndësishme. Ne nuk mund të kontrollojmë çmimin, vjen nga inflacioni i importuar. Në vijim do informojmë mbi të gjithë aktivitetin e bordit dhe instrumentin e monitorimit. Do ketë një mekanizëm që do përcaktojë si do kontrollohen tregtarët me pakicë që mos lejojmë abuzim. Kemi vendosur një garanci që do përdoret nga tregtarët kryesorë që të garantojnë blerjet e tyre që produktet të mos mungojnë në një periudhë afatmesme”, tha ministrja.