Borxhi, merret peng i mituri në Tiranë. Arrestime edhe për kanosje me video

0


Tiranë | 🗓️ 2 Tetor 2025

Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin “Këmbimi”, duke goditur dy raste të veçanta të shantazhit dhe pengmarrjes me motiv financiar.

Në ngjarjen e parë, dy të rinj dyshohet se kanë kërcënuar një 21-vjeçar me publikimin e një videoje në rrjetet sociale, duke i kërkuar 5000 euro. Njëri prej autorëve, 18 vjeç, u kap në flagrancë gjatë marrjes së shumës, ndërsa bashkëpunëtori 20-vjeçar është shpallur në kërkim. Si prova materiale u sekuestruan para dhe tre aparate celularë.

Në rastin e dytë, një i mitur dyshohet se është mbajtur me forcë në një automjet, nga dy persona që e akuzonin për vjedhje në subjektin e tyre. Të dy janë arrestuar dhe automjeti i përdorur është sekuestruar nga policia.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë e Tiranës për veprime të mëtejshme, ndërsa hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave.