Pika Kufitare e Morinës ka shënuar fluksin më të madh të lëvizjeve për këtë sezon veror gjatë fundjavës së fundit, me rreth 56 mijë qytetarë që kanë kaluar kufirin në dy ditët e fundit.
Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri kanë hyrë 45,701 shtetas, kryesisht pushues nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Lugina e Preshevës, të cilët kanë zgjedhur bregdetin shqiptar për të kaluar ditët e para të verës.
Ndër ta, janë edhe shumë tifozë të Kombëtares Shqiptare, që kanë udhëtuar drejt vendit për të ndjekur ndeshjen Shqipëri–Serbi.
Në dalje nga territori shqiptar janë regjistruar 10,805 shtetas me 3,467 automjete, ndërsa në hyrje janë evidentuar 14,619 automjete – një tregues i qartë i interesit të lartë turistik, i cili pritet të rritet më tej në javët në vijim.
Autoritetet kufitare kanë njoftuar se janë marrë të gjitha masat e nevojshme për menaxhimin e fluksit të shtuar, ndërsa Shqipëria hyn zyrtarisht në sezonin turistik me një numër të lartë pushuesish dhe rritje të ndjeshme të interesit për vendin tonë.