“Buzëqeshja e tij nuk do të na ndahet përjetë”, Gramoz Ruçi reagon pas ndarjes nga jeta e Bashkim Finos: Një nga njerëzit më të mirë të Shqipërisë

0

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka reaguar pas ndarjes nga jeta e politikanit të njohur Bashkim Fino. Përmes një mesazhi ngushëllimi, Ruçi shkruan se Shqipërisë i iku një nga njerëzit më të mirë të Shqipërisë.

Postimi i plotë:

Sot u nda nga jeta kolegu ynë, Bashkim Fino. Bashkimi humbi betejën për jetën duke na shkaktuar të gjithëve, familjes, kolegëve, miqve, një humbje të pazëvëndësueshme. Bashkim Fino ishte një ndër njerëzit më të mirë të Shqipërisë, politikan, kryetar bashkie, deputet dhe ministër ndër më të shquarit.

Shërbeu me devotshmëri për disa legjislatura si deputet i qarkut Fier dhe fitoi besimin dhe dashurinë e të gjithëve. Bashkimi i doli zot atdheut si Kryeministër në një kohë të rëndë dhe shërbeu si shtetar dhe patriot gjatë periudhës më të vështirë të tranzicionit. Ishte vëllai, kolegu dhe miku ynë, buzëqeshja e të cilit nuk do të na ndahet përjetë.

Lamtumirë, Bashkim, vëllai ynë i dashur dhe i paharruar!”

Kujtojmë se deputeti socialist është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare, duke ndërprerë në mes rrugëtimin e tij politik, ndërsa ishte kandiduar i katërti në listat e qarkut të Fierit për zgjedhjet e 25 Prillit.

Fino ndodhej i shtruar në një spital privat në kryeqytet, por gjendja e tij ishte rënduar shpejt, dhe mjekët e kanë pasur të pamundur që ta mbajnë në jetë politikanin.

Prej vitit 1997 e në vazhdim është anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste. Kulmi i karrierës së tij do të shënohej në vitin 1997, ku do të zgjidhej Kryeministër i vendit në qeverinë e Pajtimit Kombëtar, post që do ta mbante nga muaji mars deri në korrik. Z. Fino ka mbajturpo ashtu disa poste ministrore.

Nga vitit 1997 deri në 1998 ushtroi detyrën e Ministrit të Pushtetit Lokal, njëkohësisht dhe Zv/kryeministër. Në 1999 deri në vitin 2001 do të ishte ministër i pushtetit lokal. Gjatë viteve 2001-2002 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Turizmit. Ndërsa në periudhën 2004, Ministër i Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu