TIRANË- Ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj ka dëshmuar për rreth një orë në Prokurorinë e Posaçme lidhur me ngjarjet e “21 janarit”. Pas daljes nga SPAK, Kuliçaj foli shkurtimisht për gazetarët ku tha se ka dhënë shpjegime për ptë gjitha veprimet e policisë në ditën e protestës së 21 janarit të vitit 2011. Ai nuk dha më shumë detaje, sipas tij, për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor.
“Dhashë shpjegimet e mia në lidhje me 21 janarin. Shpjegova të gjitha veprimet e policisë në ditën e ngjarjes. Nuk mund të flas më tepër për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor” tha Kuliçaj pasi doli nga SPAK.
Një ditë më parë, në SPAK u paraqit edhe ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj. Ky i fundit deklaroi se kishte dhënë dëshminë e tij si person në dijeni për ngjarjen.
SPAK ka regjistruar procedim penal çështjen në fjalë, ku u vranë 4 protestues në bulevardin Dëshmorët e Kombit, ndërsa vijon hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Hetimet për 21 janarin 2011 nisën pas kërkesës së familjarëve të Aleks Nikës, të cilët kërkonin që këtë çështje ta hetonte SPAK. Gjykata e Lartë urdhëroi Prokurorinë e Posaçme ta regjistrojë procedimin, pas vendimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Procedimi penal është regjistruar për vrasjen e Aleks Nikës dhe plagosjen e tre protestuesve të tjerë, Artes Dybeli, Ilia Qesko dhe Ilia Papa.
Më 16 korrik të këtij viti Prokuroria e Posaçme njoftoi se ka rregjistruar një procedim penal mbi ngjarjen e 21 Janarit të vitit 2011. Fillimisht, Prokuroria e Posaçme kishte refuzuar të ndërmerrte hetime pas kallëzimit të bërë pranë saj nga familjarët e Aleks Nikës, një prej 4 demonstruesve të vrarë. Kjo Prokurori kishte vlerësuar se hetimet që po kryhen nga Prokuroria e Tiranës, nuk kanë zbuluar elementë penalë ndaj subjekteve që hyjnë në juridiksionin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të organizuar. Por sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë, vetëm pas hetimeve paraprake dhe pasi të arrihej në konkluzionin nëse kishte apo jo elementë të veprës penale referuar kallëzimit, mund të vendosej mbi çështjen.