Çfarë rreziqesh sjell Djella

0

TIRANË- Kur Kryeministri shqiptar Edi Rama shpalli së fundmi kabinetin e tij të ri, ajo që mori vëmendjen kryesore nuk ishte zgjedhja e ministrit të Financave apo e ministrit të Jashtëm. Lajmi më i madh ishte emërimi nga Rama i një “bot”-i të pajisur me inteligjencë artificiale si ministër i ri i Prokurimeve Publike. “Diella” do të mbikëqyrë dhe shpërndajë të gjitha tenderat publikë që qeveria u jep kompanive private.

“Ajo është anëtarja e parë e qeverisë që nuk është fizikisht e pranishme, por e krijuar virtualisht nga inteligjenca artificiale,” deklaroi Rama.

Sipas tij, ajo do ta ndihmojë Shqipërinë të bëhet “një vend ku prokurimet publike janë 100% të lira nga korrupsioni.” Ky hap, njëherësh provokues dhe simbolik, na kujton se ata që vendosin shpresat më të mëdha tek teknologjia shpesh janë ata që kanë më pak besim tek natyra njerëzore. Por, më me rëndësi, emërimi i Diellës tregon se ilaçi i supozuar ndaj plagëve të demokracisë po merr gjithnjë e më shumë formën e autoritarizmit digjital. Këto ndërhyrje mund t’u duken tërheqëse oligarkëve të Silicon Valley-t, por duhet të shqetësojnë demokratët kudo.

Baza konceptuale e një ministri AI qëndron tek mënyra si teknofilët e imagjinojnë marrëdhënien e njerëzimit me të ardhmen. “Tekno-zgjidhësit” i trajtojnë problemet politike, që normalisht kërkojnë debat e shtjellim si sfida inxhinierike që mund të zgjidhen vetëm përmes mjeteve teknike. Ashtu siç pamë në SHBA gjatë drejtimit të shkurtër të Elon Musk në DOGE (Departamenti i Efiçencës së Qeverisjes), teknologjia ofrohet si zëvendësim i politikës dhe vendimmarrjes politike.

Pasoja e qeverisjes së administruar nga AI është që demokracia bëhet e panevojshme. Tekno-kracia digjitale konsiston tek zhvilluesit e teknologjisë që pretendojnë autoritetin për të vendosur rregullat që duhet të zbatojmë dhe, rrjedhimisht, kushtet në të cilat do të jetojmë. Balancat dhe kontrolli i pushteteve që mbronin Locke, Montesquieu dhe themeluesit amerikanë kthehen në pengesa për vendimmarrje efikase. Pse të merremi me këto institucione, kur mund të shfrytëzojmë fuqinë e mjeteve digjitale dhe algoritmeve? Nën teknokracinë digjitale, debati shihet si humbje kohe, rregullimi si pengesë ndaj progresit, ndërsa sovraniteti popullor nuk është gjë tjetër veçse shenjtërim i paaftësisë.

Sigurisht, asnjë person i arsyeshëm nuk mund të mohojë se inovacioni teknologjik ka zgjidhur shumë probleme. Megjithatë, premtimi i madh që bëjnë sot zotëruesit e teknologjisë nuk është se ata do t’i zgjidhin problemet, por se do t’i shpërbëjnë ato. Ata mohojnë vetë idenë e një të ardhmeje problematike, të pasigurt, të paparashikueshme.

Nuk është rastësi që Presidenti kinez Xi Jinping dhe Presidenti rus Vladimir Putin u kapën kohët e fundit në një mikrofon të hapur duke folur për pavdekësinë. Të ndalosh plakjen do të thotë të na shpëtosh nga e ardhmja; do të thotë jo vetëm shmangie e asaj që pritet, por edhe ikje nga barra e zgjedhjes.

Pasi të kemi eliminuar të papërcaktuarën që na përcakton, do të bëhemi qenie të cilëve asgjë nuk mund t’u ndodhë vërtet. Do të banojmë në një të tashme të përjetshme, pa asnjë burim kuptimi përtej optimizimit të kushteve tona të jetesës, të patrazuar nga pasiguria, polemikat apo rreziqet që shoqërojnë marrjen e vendimeve. Do të arrijmë një njerëzim pa njerëzi.

Po ashtu, nuk është rastësi që eksperimenti i Shqipërisë po përqendrohet tek veprat publike dhe korrupsioni. Këto janë fushat që marrin më shumë vëmendje nga Bashkimi Europian, aty ku shumica e shqiptarëve dëshirojnë të jenë. Që prej rënies së komunizmit 35 vite më parë, dëshira e Shqipërisë për t’u bashkuar me Europën, të paktën në letër, e ka shtyrë të përqafojë premisën teknokratike të artikuluar nga sociologu gjerman Max Weber: vetëm një burokraci autonome mund të jetë e lirë nga shtrembërimet politike.

Procesi i anëtarësimit në BE ndjek parametra striktë, kushte neutrale dhe kritere rigoroze, përmes të cilave matet progresi. Megjithatë, Shqipëria, si të gjitha vendet e tjera të Ballkanit që presin në “paradhomën” e Europës, ka mësuar se teknokracia shpesh nuk është gjë tjetër veçse një “gjethe fiku” që mbulon hezitimin politik të vetë BE-së. Edhe nëse Shqipëria do të përmbushte çdo kërkesë deri në detaje të diktuara nga teknokratët e Komisionit Europian, mund të vendoseshin kushte të reja, të jepeshin justifikime, të zhvendoseshin objektivat.

Duke emëruar një ministre të AI për prokurimet, Rama po i jep Europës një shije të ilaçit të vet. Ai po përgatit gjithashtu skenën për një skenar surreal dhe zhgënjyes: zyrtarë të lartë europianë që mbajnë samite me një chatbot për të diskutuar mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim. “Diella” do t’i vendosë përballë një pasqyre – të pamëshirshme dhe të pashmangshme boshatisjes së demokracisë që ne vetë po i bëjmë vetes.