Pushimet e një çifti në plazhin e Jalës mund të ishin kthyer në tragjedi. Drejtuesi i një gomoneje, që ka tentuar të dalë në breg, nuk ka mundur të ndalë në kohë dhe ka përplasur dy pushues në breg.
31 vjeçari me iniciale A. S., ka marrë dëmtime në brinjë dhe fytyrë, ndërsa vajza, 25 vjeçarja me iniciale E. GJ., ka gërvishtje të lehta.
Dy të rinjtë janë dërguar në spitalin e Himarës ku po marrin mjekim. Drejtuesi i gomones Gjergji Priftuli është shoqëruar në polici.
Çifti i të lënduarve janë turistë shqiptarë dhe kanë qenë duke qëndruar në breg në momentin që gomonia i ka goditur.
“Sot, rreth orës 11:20, në plazhin e Jalës, shtetasi Gj. P., 37 vjeç, duke drejtuar një mjet lundrues tip (gomone), dyshohet se ka humbur kontrollin duke dalë në breg, ku si pasojë ka dëmtuar shtetasit A. S., 31 vjeç dhe E. GJ., 25 vjeçe, të cilët janë transportuar në spital, jashtë rrezikut për jetën.
Drejtuesi i mjetit lundrues është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Himarë, për veprime të mëtejshme. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njofton policia.