Në Shqipëri java e fundit (2 Shkurt – 8 Shkurt) shënoi një përkeqësim të situatës së Koronavirusit me një rritje të fortë të rasteve, të viktimave dhe të të shtruarve në spitale, përfshirë numrin më të lartë të atyre në gjendje kritike.
Dita me më shumë viktima ishte 5 Shkurti, kur u rregjistruan 15 vdekje. Ndërsa në 24 orët e fundit u njoftuan për 12 të tjera: 5 qytetarë nga Tirana, 2 qytetarë nga Kuçova, 2 qytetarë nga Kavaja, 1 qytetar nga Vlora, 1 qytetar nga Berati, dhe 1 qytetar nga Shkodra, të moshave 54 -76 vjeç.
Rastet e reja kapën një rekord javor me 7297 të prekur, ose një mesatare ditore prej 1042 të infektuarisht. Krahasuar me javën pararendëse bëhet fjalë për një rritje prej 18 përqind. Shtimi i rasteve ka ecur paralelisht dhe me një numër më të lartë testimesh, 28.227 tamponë (+14.1 përqind), ose një mesatare ditore prej 4032 testimesh. Pozitiviteti (raporti mes tamponëve dhe rasteve të konfirmuara) është tregues i transmetueshmërisë së virusit në komunitet.
Në 24 orët e fundit, numri i të infektuarve rishtazi, ra nën kuotën e 1 mijë rasteve të rregjistruara thuajse gjatë gjithë javës së fundit. Ministria e Shëndetësisë njoftoi për 953 raste të reja. Por kjo duket se i dedikohet vetëm uljes së testimeve, duke qenë se pozitiviteti ishte më i lartë se mesatarja javore, duke kapur nivelin e 27.3 përqind.
Rastet e reja u konfirmuan në 44 bashki të vendit: 372 raste në Tiranë, 145 raste në Durrës, 83 raste në Vlorë, 48 raste në Elbasan dhe Sarandë, 33 raste në Gjirokastër, 29 raste në Fier, 22 raste në Korçë, 13 raste në Kukës, Berat, Mat, 12 raste në Kavajë, 9 raste në Shkodër, Tepelenë, 8 raste në Lushnje, Vorë, 7 raste në Peqin, 6 raste në Kurbin, Lezhë, Mirditë, Kolonjë, Gramsh, 5 raste në Kamëz, 4 raste në Librazhd, Pogradec, Bulqizë, Kuçovë, 3 raste në Mallakastër, Dibër, Skrapar, 2 raste në Krujë, Tropojë, Delvinë, Fushë-Arrëz, Malësi e Madhe, Cërrik, Lobohovë, dhe 1 rast në Devoll, Has, Vau i Dejës, Belsh, Roskove, Klos, Poliçan.