Deputeti i Partisë Demokratike Edi Paloka është paraqitur sot në ambientet e Prokurorisë së Posaçme në Tiranë, e njohur ndryshe si SPAK. Paloka ka shkuar sot në orën 10:00 në ambientet e hetuesisë, për të dalë thuajse gjysmë ore më pas, por pa dhënë asnjë koment për mediat e pranishme.
Ndërkohë që dje, në SPAK, gjithashtu ishte dhe demokrati tjetër Ervin Salianji, por as ai nuk tregoi se për cilën çështje ishte thirrur duke shtuar kështu misterin se në çfarë historie janë përfshirë këtë herë.
Po ashtu, çfarë e lidh Palokën me Salianjin, pasi të dy punojnë në zona të ndryshme në vendit për PD-në, e gjithashtu së fundmi mbështesin persona të ndryshëm në selinë blu. Salianji ka dalë pro kryedemokratit Lulzim Basha, ndërsa Paloka i është bashkuar aksionit të ish-kryeministrit Sali Berisha.