DASH dënoi ashpër veprimet e policisë së Kosovës në Veri, Osmani: Janë legjitime! Sovraniteti territorial i vendit është i pacenueshëm

0

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka vlerësuar legjitime veprimet e Policisë së Kosovës, e cila, më 26 maj, u ka mundësuar kryetarëve të rinj të komunave veriore – Zveçan, Leposaviç dhe Zubin Potok – të hyjnë në objektet e zyrave komunale.

Ky reagim vjen fill pas deklaratës së Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili ka reaguar ashpër pas tensioneve në veri të Kosovës.

Në reagim thuhet se SHBA dënon ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që janë ndërmarrë kundër këshillave të SHBA dhe partnerëve evropianë.

DASH ka bërë thirrje që kryeministri Albin Kurti të ndryshojë kursin e sjelljes dhe palët duhet të përmbahen nga veprime të mëtejshme që nxisin konfliktin.

Reagimi i DASH:

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin.

Sakaq, Osmani ka theksuar se “sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm” dhe sipas saj “mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj”.

“Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiçit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Ajo ka shtuar se “qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë”.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu