“Dëgjoja zëra”, ja pse ekonomisti Zhaboli mbante në ‘burg’ gratë e familjes

0

Në dëshminë e tij të parë para hetuesve, 35-vjeçari është shprehur se e ka izoluar familjen e tij në mënyrë që ta mbronte. “E bëra për t’i mbrojtur, dëgjoja zëra që gruaja ime fliste me persona të tjerë”, është shprehur 35-vjeçari.

Ka qenë nëna e tij e moshuar ajo që iu ka treguar gjithçka hetuesve në momentin që ata kanë hyrë në banesë, e cila ishte e rrethuar me hekura. Përveç vajzës, çifti ka pasur dhe një djalë të mitur.
35-vjeçari mbante të burgosura në banesën e tij gratë e familjes, nënën, gruan dhe dy fëmijët e mitur. Mësohet se autori i këtij skenari të denjë për filma, është shtetasi Jetnor Zhaboli, me profesion ekonomist. Prej martesës me bashkëshorten e tij, ai ka qenë xheloz, por me kalimin e kohës gjithçka ka shkuar edhe më keq, duke i izoluar gratë e familjes totalisht nga bota e jashtme.

Gjatë kohës kur nuk ishte në banesë, ai i kontrollonte familjaret e tij përmes kamerave që kishte instaluar në çdo cep të shtëpisë, përfshirë në dhomën e gjumit dhe në tualet. Ai i kontrollonte kamerat përmes telefonit, ndërsa gruaja, nënë dhe vajza e mitur e kishin të ndaluar që të dilnin nga banesa. Zhaboli kishte instaluar gjithashtu bllokues valësh në banesë, në mënyrë që gratë të mos kishin asnjë mundësi komunikimi me persona të tjerë. Kjo situatë në kushtet e ekstremit, përfshirë edhe dhunën fizike, e kishin çuar dy herë drejt tentativës për të vrarë veten bashkëshorten e 35-vjeçarit.

Në banesë policia ka gjetur dy letra që gruaja kishte shkruar për familjaret e saj, ku iu linte lamtumirën dhe u kërkonte falje. Këtë dhunë e përjetonte edhe nëna e tij e cila ishte e pafuqishme për të kundërshtuar të birin dhe për të mbrojtur nusen dhe fëmijët e çiftit.

Kanë qenë efektivët e Komisariatit nr. 1, ata që trokitën në derën e Zhabolit, por dera ishte e kyçur. Më pas kanë gjetur 35-vjeçarin, i cili i futi brenda në banesë.

Bashkëshortja e tij nuk ka thënë asnjë fjalë para hetuesve. Ka qenë e ëma, H.Zhaboli, e cila ka treguar se i mbante të kyçur dhe ushtronte dhunë mbi të tre. Bashkëshortja e Zhabolit për shkak të situatës nuk është në gjendje të mirë psikologjike.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu