Dejtuesja e SHISH vizitë në Uashington, takohet me shefin e CIA-s

0

Drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, realizoi një vizitë zyrtare në Uashington DC nga data 15 deri më 17 maj 2025.

Hyseni zhvilloi takime me drejtues dhe zyrtarë të lartë të Zyrës së Inteligjencës Kombëtare të SHBA (ODNI), Departamentit të Shtetit dhe Agjencisë Qendrore të Inteligjencës, CIA. Takimet u fokusuan në thellimin e bashkëpunimit dypalësh dhe forcimin e partneritetit strategjik mes dy vendeve.

SHISH në një njoftim për media bën me dije se në takimin e rëndësishëm me Drejtoreshën e Inteligjencës Kombëtare të SHBA, Tulsi Gabbard u diskutuan sfidat dhe mundësitë për bashkëpunim në fushën e inteligjencës dhe sigurisë, me theks të veçantë tek siguria kombëtare e Shqipërisë dhe SHBA-së.

“Palët shkëmbyen vlerësime mbi zhvillimet kryesore në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare, duke vlerësuar angazhimin e përbashkët në sigurimin e stabilitetit dhe sigurisë kolektive. SHISH-u u konfirmua si një partner i besueshëm, ndërsa Shqipëria u cilësua si një faktor kyç i stabilitetit në rajonin e Ballkanit”, njofton SHISH.

Në takimin me Drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, u evidentua bashkëpunimi i ngushtë midis dy agjencive, me fokus identifikimin dhe parandalimin e kërcënimeve të përbashkëta. U diskutua gjithashtu për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit dhe rritjen e kapaciteteve inteligjente të SHISH.

“Kjo vizitë tregon përkushtimin dhe gatishmërinë e dy vendeve për të mbështetur vendimmarrjen strategjike me informacione inteligjente cilësore dhe në kohë, duke kontribuar në garantimin e sigurisë rajonale dhe globale”, thuhet më tej në njoftimin e SHISH.