Del foto e shqiptarit që humbi jetën në aksidentin tragjik në Rumani

0

Lugoj, Rumani – 27 janar 2026

Personi që shfaqet në foto është Vasil Pilo, shqiptari që humbi jetën në aksidentin tragjik rrugor të ndodhur këtë të martë në Rumani, ku u përfshi një furgon me tifozë të PAOK-ut të Selanikut. Identifikimi i tij është konfirmuar zyrtarisht nga autoritetet rumune dhe informacioni i është përcjellë edhe palës greke.

Vasil Pilo jetonte prej vitesh me familjen e tij në Alexandria të Imathias, në Greqi. Miqtë e tij tregojnë se ai ishte një tifoz i përkushtuar i PAOK-ut, i pranishëm pothuajse në çdo ndeshje të skuadrës së zemrës, brenda dhe jashtë vendit. Pikërisht kjo pasion e kishte shtyrë të udhëtonte drejt Francës për të ndjekur ndeshjen e Europa League kundër Lionit.

Si ndodhi aksidenti

Aksidenti i rëndë ndodhi në një autostradë pranë qytetit Lugoj, në perëndim të Rumanisë. Sipas rindërtimit paraprak të autoriteteve, furgoni tentoi të parakalonte një kamion-cisternë, por gjatë rikthimit në korsi u përplas fillimisht me të dhe më pas kaloi në krahun e kundërt të rrugës, ku u përplas me një tjetër kamion. Në përplasje u përfshinë katër mjete.

Si pasojë, gjashtë persona humbën jetën në vend, ndërsa një viktimë tjetër ndërroi jetë gjatë transportit drejt spitalit. Të gjithë tifozët ishin të moshës 25–30 vjeç.

Për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, ndërhyrja me helikopterë nuk ishte e mundur, ndërsa të plagosurit u transportuan me urgjencë drejt spitalit të qytetit Lugoj.

Reagime dhe mbështetje

Ministria e Jashtme e Greqisë dhe Ambasada greke në Bukuresht ndodhen në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet rumune për identifikimin e viktimave dhe asistimin e familjarëve.

Ndërkohë, klubi i PAOK-ut ka shpallur zi, duke njoftuar se do të mbulojë të gjitha shpenzimet për kthimin e trupave të viktimave dhe ndihmën mjekësore për të plagosurit.

Hetimet për shkaqet e aksidentit vijojnë.