Del sot para Gjykatës, zbardhet dëshmia e Tire Alldërvishit përpara Policisë: Jam e tronditur, do të flas…

0

59-vjeçarja Tire Alldërvishi, nuk ka thënë asnjë fjalë përpara Oficerëve të Policisë Gjyqësore. Sanitarja është shoqëruar për në komisariat gjatë mesnatës të së martës, vetëm disa orë pasi emisioni investigativ “Stop” shfaqi videon kur ajo komunikonte me vajzën që nëpërmjet mashtrimit i ka marrë shuma të konsiderueshme parash për kurimin e nënës së saj.

Gjatë ditës së djeshme edhe pse policia i ka vënë në dispozicion avokat kryesisht 59-vjeçarja nuk ka folur asnjë fjalë përpara hetuesve përveç faktit që është e tronditur. “Nuk kam asgjë për të thënë jam e tronditur, do flas në një moment të dytë”, mësohet se ka thënë Alldërvishi përpara hetuesve. Në këtë mënyrë sanitarja Alldervishi as ka pranuar dhe as ka mohuar akuzat që rëndojnë ndaj saj, duke zgjedhur të flas në një moment tjetër.

Ndërkohë, ajo pritet që në minutat në vijim të transportohet nga ambientet e paraburgimit, për në Gjykatën Penale të Tiranës për tu njohur me akuzat që prokuroria ka ngritur ndaj saj, dhe masën e sigurisë që gjykata do caktojë. Burime nga institucioni i akuzës bëjnë me dije se prokuroria për 59-vjeçaren do kërkojë masën e sigurisë “arrest me burg”.

Ndërsa përsa i përket akuzës sanitarja do akuzohet për “mashtrim më shumë se një herë”, dhe dyshohet në bashkëpunim, por nga materiali referues që policia i ka dërguar prokurorisë nuk rezultojnë ende të zbardhur emra të tjerë. Fax news ka mësuar se në lidhje me këtë ngjarje të rëndë, nën hetim janë vënë edhe 4 punonjës të spitalit “Shefqet Ndroqi”. Në ditët në vijim prokuroria pritet që të marrë në pyetje disa persona, punonjës në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Sipas informacioneve që Fax news ka siguruar nga prokuroria, ka mësuar se mes personave që do merren në pyetje nga do të jenë edhe mjekë e infermier të këtij spitali, i kthyer prej muajsh në spitalin COVID-2. Tire Alldërvishi, u vu në pranga, pasi duke u hequr si infermiere mashtroi një 30- vjeçare, vajza e një pacienteje me Covid-19, që po trajtohej në spitalin “Shefqet Ndroqi”.

Ajo arriti ti merrte të resë rreth 8 milionë lekë të vjetra, me pretendimin se do kujdesej për nënën e saj. Burime thanë se vajza e të ndjerës ka bërë denoncimin në polici, disa orë përpara se të transmetoheshin pamjet në një emision investigativ. Përveç pamjeve të emisionit të transmetuar mbremjen e së martës, policia ka sekuestruar edhe disa kamera sigurie pranë spitalit “Shefqet Ndroqi”, që konfirmojnë takimin e vajzës me sanitaren.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu