Një instruktor zhytjeje që kërkohej në lidhje me vdekjen e një turisteje britanike në Shqipëri është dënuar me 15 vjet burg në Norvegji, pas një procesi për trafikun e drogës.
Saimir Kushova, 48 vjeç, ishte kërkuar nga autoritetet në Shqipëri pas vdekjes tragjike të Rebecca Gannon, 29 vjeçe, e cila u mbyt gjatë në një ekspeditë zhytjeje të organizuar me të, më 19 shtator.
Që nga vdekja e saj në shtator të vitit 2022, babai i saj, George Gannon, ka kërkuar drejtësi nga autoritetet shqiptare për muaj të tërë.
Por ai mësoi se i dyshuari kryesor, Kushova, ishte dënuar për trafikim droge dhe kishte marrë 15 vjet burg. Duke folur për MailOnline, Gannon, 63 vjeç, nga Stone, Staffordshire, ka treguar se ka kaluar të paktën tre vite në Shqipëri duke ndjekur autoritetet për drejtësi
“Kam kaluar pothuajse tre vjet në Shqipëri duke ndjekur autoritetet për drejtësi. Ka qenë e vështirë. Kam kaluar kohë larg familjes, por gjithçka që doja ishte që ky njeri të përballej me mua në gjykatë dhe tani ai është në burg në Norvegji. Ky njeri është përgjegjës për vdekjen e vajzës time dhe ai duhet të jetë në gjykatë.
Doja që autoritetet shqiptare të merrnin seriozisht atë që ndodhi me vajzën time. E dinim që ai ishte larguar pas vdekjes së Rebeccës, dhe duket se ai përfundoi në Norvegji dhe u përfshi në një operacion trafikimi droge. Nuk dinim që ai ishte akuzuar, dënuar dhe dërguar në burg për trafik drogërash”, ka rrëfyer ai.
“Ndjehem sikur ai po i shpëton drejtësisë për rolin e tij në vdekjen e Rebeccës, por unë nuk do të dorëzohem kurrë duke luftuar për të,” shtoi ai.
Rebecca ishte në pushime me të dashurin e saj, Robert Kerans, kur tragjedia ndodhi ndërsa ata ishin duke zhytur në një anije të mbytur pranë qytetit bregdetar të Sarandës, në jug të Shqipërisë.
Çifti kishte certifikata PADI për zhytje dhe kishin zgjedhur të shkonin në ekskursionin e organizuar nga Kushova me firmën e tij, “Spiranca Diving Centre”. Por brenda disa minutash pas ngjitjes në anije, Rebecca dhe Robert filluan të vërenin gjendjen e dobët të pajisjeve, si xhaketat e shpëtimit nën standarde dhe tanke oksigjeni të gjysmuara.
Rebecca, për të cilën ishte e zakonshme të zhytej deri në 30 metra, pati vështirësi edhe pse uji ishte vetëm shtatë metra i thellë dhe ajo u mbyt.
Sipas Gannon, përpara se të vdiste, ajo ishte ngjitur në sipërfaqe e panikosur duke kërkuar ndihmë, por më pas ra përsëri në ujë.
Familja, George dhe gruaja e tij Gill, ishin në shtëpi dhe po ndiqnin varrimin e Mbretëreshës Elizabeth kur policia trokiti në derën e tyre për t’u njoftuar se Rebecca kishte vdekur.
Gannon shpjegoi se kishte marrë më shumë se dy vjet që të ngriheshin akuzat ndaj Kushovës për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
I dëshpëruari Gannon tha se autoritetet shqiptare kishin vonuar tepër ngarkimin me akuzat ndaj tij. Por më keq erdhi kur Kushova u arrestua dhe u mbajt në Shqipëri, por pastaj arriti të arratisej dy herë nga qelia, dhe përfundoi në Norvegji.
Aty, ai u arrestua për pjesëmarrje në një komplot të madh të trafikimit të kokainës që përfshinte 150 kg kokainë. Kushova ishte pjesë e një bande të përbërë nga gjashtë shqiptarë, të cilët ishin të përfshirë në trafikimin e kokainës, që përbënte kapjen më të madhe të një ngarkese kokaine ndonjëherë në Norvegjinë perëndimore.
Ai zhytej në një anijeje të mbytur dhe nxirrte disa çanta të zeza që përmbanin drogën dhe i sillte ato në sipërfaqe. Kushova i tha gjykatës së distriktit të Hordaland se “nuk kishte idenë se çfarë kishte në çanta” dhe tha se ishte kërkuar të ndihmonte pasi ishte një zhytës ekspert”.
Policia dhe doganierët e kapën bandën në prill 2023, më pak se një vit pas vdekjes së Rebeccës. Gannon, i cili është ende në Shqipëri, shtoi: “Pas largimit të tij nga vendi, policia tha se kishin nxjerrë një lajmërim për të përmes Interpolit, por nuk morëm asnjë përgjigje për shumë kohë. Ne e mësuam se ai ishte arrestuar dhe dënuar me 15 vjet në Norvegji për trafikim droge disa muaj më parë.”
“Vitet e fundit më kanë kushtuar më shumë se 53,000 paund dhe më kanë kushtuar kohë me familjen, kemi shpenzuar kursimet tona dhe kemi mbyllur biznesin tonë të bukës. Nuk kemi marrë ndihmë të vërtetë nga autoritetet shqiptare apo Ambasada Britanike në Tiranë. Unë e di që ai është në burg në Norvegji dhe ndoshta nuk do të dalë shpejt, por nuk do të pushoj derisa ai të jetë në gjykatë dhe të dënohet për rolin e tij në vdekjen e vajzës time”, ka treguar babai i 29-vjeçares.
“Unë mund të jem gati 80 vjeç kur ai të lirohet, por vetëm dua ta shoh në gjykatë dhe të dënohet për pjesëmarrjen e tij në vdekjen e Rebeccës. Doja që ai të përballej me drejtësinë për atë që ka bërë, më ka kushtuar gjithçka, madje kam menduar të shkoj në Norvegji dhe të kryej një krim që të shoh atë në burg”, tha ai.
Fatkeqësisht, Gannon gjithashtu përshkroi se si kjo ka shkatërruar martesën e tij.
“Gill dhe unë ishim bashkë për 36 vjet, por për shkak të asaj që ndodhi dhe sepse unë gjithmonë jam këtu, gjërat nuk po shkojnë mirë mes nesh. Ka ndikuar tek ajo mendërisht dhe tek unë. Nuk kam mundur të qaj siç duhet dhe nuk do të qaj derisa të shoh drejtësinë. Nuk jemi divorcuar, por është përmendur dhe është për shkak se gjithçka që dua është të mbyll këtë kapitull, po luftoj për të mbyllur atë që ndodhi me Rebeccën”, thotë ai.