Deputeti Dash Sula: Rama kundër SPAK për hetimin e krimeve zgjedhore, por mbështet patronazhistët dhe bandat

0

Deputeti i opozitës, Dash Sula, ka reaguar ashpër pas deklaratave të kryeministrit Edi Rama, i cili ka shprehur kundërshtim ndaj Strukturës së Posaçme Antikorrupsion (SPAK) për hetimet që ka nisur për krimet zgjedhore.

Në një postim në rrjetet sociale, Sula akuzoi Ramën për dyfish standard. Ai theksoi se kryeministri ka trumbetuar me të madhe patronazhistët e Partisë Socialiste, duke i përdorur ata për të intimiduar qytetarët dhe administratën shtetërore. Sula gjithashtu e cilësoi si “arritje” të madhe të partisë në pushtet përdorimin e patronazhistëve dhe bandave për të penguar një proces zgjedhor të rregullt.

“Rama thotë një gjë dhe bën diçka tjetër. Është krenari për të të përdorësh patronazhistët dhe të frikësosh qytetarët, por është një lajthitje për SPAK të punojë në terren dhe të hetojë krimet zgjedhore,” tha Sula.

Deputeti i opozitës i kërkoi SPAK-ut të vijojë hetimet e krimeve zgjedhore pa toleruar asnjë impunitet, duke theksuar se asnjë dosje e ngjarjeve elektorale nuk duhet të amnistohen, por duhet të hetohen deri në fund për të siguruar një proces zgjedhor të pastruar dhe transparent.

Ky reagim vjen në një moment kur SPAK ka ngritur një task-forcë për të hetuar krimet zgjedhore për zgjedhjet e 11 majit.

Postimi i deputetit Dash Sula:

“Mos bëni si bëj unë dhe bëni si them unë”.
Ky është kryeministri Edi Rama, i cili trumbetonte me të madhe patronazhistët e Partisë Socialistë, ndërsa sot është kundër Strukturës së Posaçme Antikorrupsion që ka zbritur në terren për krimet zgjedhore. Për Edi Ramën është krenari të nxjerrësh patronazhistët dhe të intimidosh qytetarët, administratën shtetërore me vendin e punës. Madje është arritje e madhe partisë së tij që nuk lejon proces të rregullt zgjedhor, duke përdour patronazhistët dhe bandat, por është lajthitje detyra e SPAK për task-forcën kundër krimit zgjedhor.
Deklarata e sotme e Edi Ramës është skandaloze. SPAK duhet të vijojë punën në terren për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ashtu edhe për dosjet e krimit elektorale të cilat nuk duhet të amnistohen, por të hetohen deri ne fund.