DËSHMIA e të plagosurve, babë e bir për gjyqtarin Astrit Kalaja: Elvis Shkambi i tha ‘vetë e kërkove’!

0

Rakip dhe Ervis Kurtaj, babë e bir që u plagosën gjatë atentatit në sallën e gjyqit ku mbeti i vrarë gjyqtari, Astrit Kalaja, kanë lënë Spitalin e Traumës vetëm një ditë pas ngjarjes.

Gjendja e tyre shëndetësore raportohet e stabilizuar dhe jashtë rrezikut për jetën.

Ndërkohë, të plagosurit kanë dhënë dëshmitë e para para oficerëve të policisë gjyqësore, duke rrëfyer momentet dramatike brenda sallës numër 3 të Gjykatës së Apelit, një nga dhomat më të vogla të institucionit ku ndodhi ngjarja.

Sipas tyre, gjithçka ndodhi brenda pak sekondash, mes panikut dhe kaosit që përfshiu të gjithë të pranishmit.

Dëshmitarët thanë se situate u tensionua menjëherë pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Kalaja, i cili sipas tyre, nuk ishte në favor të familjes Shkambi.

Pas leximit të vendimit, 30-vjeçari, Elvis Shkambi, nxorri një armë që e mbante të fshehur poshtë xhaketës, e mbushi dhe qëlloi disa herë drejt gjyqtarit.

Dëshmia e Rakip dhe Ervis Kurtaj: Ngjarja ndodhi shumë shpejt. Kalaja u përpoq të mbrohej, por nuk kishte as hapësirë, as kohë.

Elvisi iu afrua dhe e qëlloi nga shumë pranë duke i thënë: “Vetë e kërkove”. Pastaj u kthye nga ne dhe sekretarja, por arma nuk kishte më plumba”, kanë treguar Rakip dhe Ervis Kurtaj.

Sipas dëshmisë së tyre, autori i krimit u largua me qetësi nga salla pas të shtënave, ndërsa të pranishmit përpiqeshin të ndihmonin gjyqtarin, i cili nuk jepte shenja jete.

“U munduam ta ndihmonim, por ai nuk reagonte. Pas pak minutash erdhi policia dhe ambulance. Kur dolëm jashtë, pamë që arma ishte lënë te dera, ishte shumë e vogël. Na erdhi shumë rëndë për gjyqtarin, por sinqerisht, kjo ishte një situatë që e kishim frikë prej kohësh”, kanë thënë ata.

Të dy të plagosuriot shtuan se kishin marrë kërcënime të vazhdueshme nga familja Shkambi.

“Na thonin se do na hidhnin në rrugë, sa herë na shihnin. Ishte bërë si makth kjo histori”, janë shprehur babë e bir.