Dështon sërish seanca për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, Gërvalla dhe Haxhiu nuk marrin votat e duhura nga votimi i hapur, deputetët mblidhen sërish më 22 gusht

0

KOSOVË- Seanca e sotme në Kuvendin e Kosovës ka dështuar sërish pas votimit të dy kandidatëve të Lëvizjes Vetëvendosje. Seanca nisi në orën 11:00 me shpresën për konstituimin e Kuvendit. Duke qenë se votimi i hapur nuk arriti të zgjidhte kryeparlamentaren seanca e radhës do të mbahet më 22 gusht.

Lëvizja Vetëvendosje propozoi sërish sot Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit por ajo mori vetëm 57 vota pro, 56 kundër dhe 3 abstenim. Pas dështimit të parë LVV propozoi emrin e minsitrise së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Edhe Gërvalla mori 57 vota, kundër votuan 56 deputetë, kurse tre deputetë abstenuan.

Kjo seancë vjen dy ditë pasi Gjykata Kushtetuese publikoi aktgjykimin e plotë për çështjen e konstituimit të Kuvendit. Më 8 gusht, Kushtetuesja ka urdhëruar Kuvendin që brenda 30-ditësh të zgjedhë kryeparlamentarin e ri përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Me publikimin e aktgjykimit të plotë, nis edhe rrjedhja e afatit 30-ditor, që nënkupton se deputetët nga sot mund të mblidhen për të konstituuar Kuvendin. Çështja e trajtuar lidhur me formën e votimit të kryeparlamentarit është ngritur nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike. Por, Gjykata tha se kërkesat e lëndëve ndërlidhen edhe me lëndën e dorëzuar paraprakisht nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.