KOSOVË- Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka dështuar sërish ditën e sotme. Si pasojë e dhështimit raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve nuk ka dalë në votim. Kryesuesi i seancës, deputeti i zgjedhur i LVV-së, Avni Dehari tha se nuk pati konsensus në konsultimet që i thirri paraprakisht me përfaqësuesit e partive politike. Mbledhja konsultative u bë me qëllimin për të arritur në një proces vendimtar për konstituimin e Kuvendit.
“Takimi shpërfaqi qëndrimet aktuale të tyre. Pati përfaqësues që e braktisën konsultimin. Fatkeqësisht nuk pati konsensus. Seanca do të vazhdojë brenda 48 orëve, në orën 12:00 më 19 prill 2025, me shpresë që deri atëherë të ketë pajtueshmëri”, tha ai.
Në mbledhjen e konsultimeve ishin 100 deputetë të pranishëm. Konstituimi i Kuvendit do t’i hapte rrugë votimit të kryeparlamentarit e më pas qeverisë së re.
Nga ana tjetër, kreu i seancës theksoi se më 16 prill, i dërgoi letër presidentes, përmes së cilës i kërkoi sugjerime se si të veprohet në vazhdim. Lidhur me këtë, ai shton se presidentja Vjosa Osmani nuk ofroi zgjidhje përfundimtare, por kjo e fundit kërkoi që partitë të gjejnë vullnet për ta zhbllokuar situatën.