TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga arrestimi i Jamarbër Malltezit, dhëndrit të ish-kryeministrit Sali Berisha, mbrëmjen e kësaj të shtune. Ai është vënë në pranga sapo ka mbërritur në aeroportin ‘Nënë Tereza’, ku po kthehej nga një udhëtim në Mynih. GJKKO ka vendosur sekuestrimin e pasurive të tij të cilat do t’i shërbejnë tashmë hetimeve për çështjen e privatizimit të ish-klubit Partizani. Malltezi akuzohet për korrupsion dhe patrim parash.
Por cili ishte roli i tij në këtë ‘aferë’?
Kjo çështje daton më 17 nëntor 2020, kur Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, dorëzoi një kallëzim penal në SPAK, për privatizimin e kompleksit “Partizani”. Balla ka ngritur akuzë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Mbrojtjes Arben Imami, anëtarë të tjerë të qeverisë së drejtuar nga Berisha, Jamarbër Malltezi dhëndrin e Sali Berishës, përfitues direkt i kësaj prone si dhe drejtues të shtabit të ushtrisë shqiptare bashkë me administratorët dhe aksionerët e dy kompanive ndërtuese në atë kompleks. Çështja është regjistuar për veprën penale të parashikuar nga neni 287 të Kodit Penal që parashikon ‘pastrim të produkteve të veprës penale’.