Detajet e reja nga vrasja në Tiranë. Autori pas krimit dyshohet se është arratisur jashtë Shqipërisë

0

TIRANË – Policia ka dalë me një tjetër njoftim zyrtar lidhur me ngjarjen që u raportua këtë të enjte në kryeqytet ku një 24-vjeçare e huaj u gjet pa shenja jete brenda një banese në rrugën “Gjon Muzaka”.

Policia bën me dije se viktima është identifikuar si Ryyan Alwan, 24 vjeçe me origjinë nga Palestina. Kjo e fundit kishte ardhur në Shëqipëri bashkë me bashkëshortin e saj Fadi Alwan, 49 vjeç, dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.

Policia sqaron se 24-vjeçarja dyshohet të jetë vrarë me thikë nga bashkëshorti i saj i cili menjëherë pas kryerjes së krimit, është larguar jashtë territorit të Shqipërisë.

Rrethanat e ngjarjes vijojnë të jenë mister, ndërkohë grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara.

Njoftimi i Policisë:

Falë veprimeve të shpejta hetimore, identifikohet dhe shpallet në kërkim autori i vrasjes së 24-vjeçares, të gjetur pa shenja jete në një apartament në rrugën “Gjon Muzaka”.

Sektori për Krimet e Rënda në DVP Tiranë, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale, si dhe analizimit të provave, ka identifikuar dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar të vrasjes së 24-vjeçares, shtetasin F. A., 49 vjeç.

Rreth orës 12:55, shërbimet e Policisë u njoftuan për gjetjen e një shtetaseje pa shenja jete në një apartament me qira, në rrugën “Gjon Muzaka”. Gjatë fazës së parë të hetimeve, u konstatua se viktima kishte plagë të shumta të shkaktuara me mjet prerës, që dyshohet të kenë qenë shkak për humbjen e jetës.

Në vijim të veprimeve, Policia bëri të mundur edhe identifikimin e viktimës, shtetases R. A., 24 vjeçe, e cila, së bashku me bashkëshortin e saj, shtetasin F. A., 49 vjeç, rezultojnë të jenë shtetas palestinezë dhe kishin marrë me qira apartamentin ku ndodhi ngjarja.

Nga të dhënat e deritanishme hetimore, dyshohet se autori i ngjarjes është larguar menjëherë jashtë territorit të Shqipërisë, pas kryerjes së krimit, i cili dyshohet të ketë ndodhur disa ditë më parë.

Grupi hetimor po vijon punën për përcaktimin e saktë të kohës së ngjarjes, nëpërmjet ekspertizës mjekoligjore dhe analizimit të provave të sekuestruara.

Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të shpallur në kërkim, si dhe për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Materialet do t’i referohen Prokurorisë për veprime të mëtejshme.