Dhëndri i Trump vjen të shtunën në Tiranë, Samiti Ekonomik do të inaugurohet nga Rama e Macron

0

I pagëzuar si “Future Investment Initiative Europe”, për herë të parë do të mbahet në Shqipëri samiti ekonomik ndërkombëtar me në qendër fabulën “Investoni në një Evropë të Lidhur”.

Ky takim që do të mbledhë ndër investitorët më me ndikim në botë, liderë të njohur biznesi, dhe krerë shtetesh do të mbahet në datat 16 dhe 17 maj.

Samiti, që përkon dhe me takimin e Komunitetit Politik, do të organizohet në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, dhe do të inaugurohet më 17 maj në pjesën e tij kryesore nga presidenti francez Emanuel Macron, në vizitë zyrtare në kryeqytetin shqiptar dhe kryeministri Edi Rama.

Përveç presidentit francez, i pranishëm në këtë event do të jetë edhe dhëndri i Donald Trump, Jared Kushner dhe themelues & CEO, Affinity Partners. Sipas axhendës së zbardhur, ai do të mbajë fjalën në orën 10:05, ku do të diskutohet për investimet si një urë lidhëse mes tregjeve dhe zhvillimin e tyre. Pjesëmarrës është edhe senatori italian dhe ish-kryeministri Matteo Renzi.

Në program thuhet se brishtësia dhe fragmentimi po drejtojnë ekonominë globale, ndërkohë që parashikimet e institucioneve financiare tregojnë për ngadalësim të ekonomisë për shkak të tensionet gjeoekonomike dhe presionet e vazhdueshme inflacioniste.

“Evropa mund t’i transformojë tensionet tregtare në mundësi, duke u shfaqur si një dritë e kohezionit ekonomik në një botë gjithnjë e më të ndarë”, thuhet në dokumentet e këtij samiti special.

Në këtë edicion special të samitit do të diskutohen 8 fusha kyçe. Fragmentimi dhe gjeo-ekonomia, siguria dhe pavarësia energjetike, inteligjenca artificiale dhe robotika, kujdesi shëndetësor, industria e prodhimi, tregtia, turizmi dhe inovacioni në sipërmarrje.

Samiti i fundit është zhvilluar në muajin shkurt në Majami, ku pjesëmarrës ishte presidenti amerikan Donald Trump. Vetëm në samitet e organizuar nga ‘Future Investment Initiative Europe’ janë lidhur marrëveshje me vlerë mbi 200 miliardë dollarë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë dhe në vende nga gjithë bota.